Betül Yürük
16 Janar 2019•Përditësim: 16 Janar 2019
KOMBET E BASHKUARA (AA) - Ministri i Jashtëm i Palestinës, Riyad al-Maliki, tha se vendi i tij në ditët e ardhshme do të kryejë aplikimin për anëtarësimin e plotë në Kombet e Bashkuara (OKB), raporton Anadolu Agency (AA).
Në selinë e OKB-së Maliki është prononcuar për gazetarët pasi Palestina ka marrë kryesimin e Grupit G77+Kina, që përbëhet nga vendet në zhvillim.
Maliki tha se janë të vetëdijshëm se SHBA-të do të vendosin veton ndaj aplikimit të Palestinës për anëtarësim të plotë në OKB, por se kjo situatë nuk do t'i pengojë ata që të bëjnë kërkesën. Ai theksoi se Palestina brenda disa javësh do të bëjë kërkesën e saj për anëtarësimin e plotë në OKB.
Palestina e cila nuk është anëtare e OKB-së, në këtë organizatë me 193 anëtarë ajo ka statusin e "shtetit vëzhgues jo anëtar". Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në vitin 2012 ngriti statusin e Palestinës nga "organizatë vëzhguese" në statusin "shtet vëzhgues jo anëtar".
Për anëtarësimin e plotë të Palestinës fillimisht nevojitet miratimi i Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe më pas shkohet në votim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Por SHBA-të, si vend anëtari i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, konsiderohen si definitiv që do të vendosë veton ndaj kërkesës së Palestinës.
Në vitin 2011, Palestina aplikoi për anëtarësim të plotë në OKB, por nuk mori mbështetjen e nevojshme nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.