Ekip
14 Shkurt 2021•Përditësim: 15 Shkurt 2021
Pakistani dënoi fuqishëm "aktin e urryer terrorist" në të cilin 13 shtetas turq u martirizuan në rajonin Gara të Irakut, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Qeveria dhe populli i Pakistanit i shprehin ngushëllimet e tyre të përzemërta qeverisë dhe popullit vëlla të Turqisë, si dhe familjeve të viktimave të pafajshme", thuhet në një kumtesë të Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) të Pakistanit.
Në kumtesë gjithashtu thuhet se Pakistani qëndron në solidaritet të fuqishëm me popullin e Turqisë në luftën e tyre kundër terrorizmit.
"Pakistani përsërit dënimin e qartë të terrorizmit në të gjitha format dhe manifestimet", theksojnë nga MPJ-ja pakistaneze.
Organizata terroriste PKK martirizoi 13 shtetas turq në rajonin e operacionit "Kthetra-Shqiponja 2" që forcat turke e realizojnë në veri të Irakut.
Organizata terroriste PKK e cila ndodhet në listën e terrorizmit të Turqisë, SHBA-së dhe Bashkimit Evropian (BE), është përgjegjëse për vrasjen e 40 mijë personave, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja gjatë aktiviteteve të saj terroriste që ajo ka kryer përgjatë 30 viteve kundër Turqisë.