Admir Fazlagikj
28 prill 2017•Përditësim: 28 prill 2017
SHKUP (АА) - Ministri austriak i Punëve të Jashtme, Sebastian Kurz, i cili aktualisht është edhe kryesues i OSBE-së dhe Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Lamberto Zannier, dhanë një deklaratë të përbashkët në të cilën dënuan incidentet e mbrëmshme në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në deklaratë thuhet se dhuna nuk mund të jetë zëvendësim për zgjidhjet politike dhe se vendimet duhet të sillen me procese demokratike dhe në mënyrë të përgjegjshme.
"Tronditës janë sulmet ndaj disa deputetëve të Kuvendit dhe ndërhyrja në ndërtesën e Parlamentit, që është zemra e demokracisë në vend. Ky ishte një akt i frikësimit dhe sulm ndaj përfaqësueseve të qytetarëve, të cilin e dënoj ashpër. Rendi dhe paqja menjëherë duhet të vendosen. Iu bëjë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga përshkallëzimi i mëtejshëm i dhunës", ka thënë ministri Kurz.
Zanier tha se organet e rendit duhet të angazhohen për sigurinë e të gjithë deputetët dhe për të kujdesen që sulmuesit të sillen para drejtësisë.
Kurz dhe Zanier bashkërisht iu bënë thirrje partive politike që të vazhdojnë dialogun në Parlament dhe të respektojnë procesin demokratik dhe rezultatin e zgjedhjeve të dhjetorit.
Ministria e Brendshme informoi se gjendja e sigurisë në zonën qendrore të qytetit, rreth dhe në Parlament është normalizuar. Sipas njoftimit nga Ministria e Brendshme, në incidentet e mbrëmshme jashtë dhe në Parlament, janë plagosur 70 qytetarë, 22 policë dhe tre deputetë.
Me 62 vota "pro" në një atmosferë kaotike në Kuvend, shumica parlamentare zgjodhi deputetin e BDI-së Talat Xhaferin për kryetarë të Kuvendit. Më pas pasuan incidentet para dhe brenda në Kuvend, ku u futën një numër i qytetarëve të cilët protestonin para Kuvendit të Maqedonisë.