Nazmi Abduramani
13 Prill 2016•Përditësim: 13 Prill 2016
SHKUP (AA) – Vendimi i presidentit të Maqedonisë Gjorge Ivanov për ndërprerjen e të gjitha procedurave penale kundër politikanëve që lidhen me krizën politike dhe aferën e përgjimeve shkaktoi edhe reagime nga ambasadat në vend, atë të SHBA-ve dhe Gjermanisë, raporton Anadolu Agency (AA).
“Presim që parimi i sundimit të së drejtës të respektohet nga të gjithë. Shpresojmë se gjendja në shtet dhe në shoqëri në aspektin juridik dhe politik nuk do të ashpërsohet më tej dhe se do të ruhet siguria publike. Përveç kësaj, qeveria federale shpreson në sqarim të shpejtë të çështjeve juridike dhe politike, të cilat dalin nga paralajmërimi i presidentit të shtetit”, thuhet në reagimin e Ambasadës gjermane në Shkup.
Më tej në njoftimin e ambasadës gjermane thuhet se “Prokuroria Speciale Publike siç është paraparë me Marrëveshjen e Përzhinos (marrëveshja politike qershor/korrik), të mund pa pengesa të vazhdojë punën e saj jashtëzakonisht të rëndësishme për stabilizimin institucional të sistemit shtetëror, e cila shumë vlerësohet nga një pjesë e madhe e shoqërisë së Maqedonisë dhe nga bashkësia ndërkombëtare. Krahas kësaj, të gjitha partitë do të duhet t’i forcojnë përpjekjet e tyre për krijimin e parakushteve minimale për zgjedhje, të përshtatshme me standardet evropiane”.
Nga ana tjetër edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Maqedoni Jess Baily sot paradite në profilin e tij në rrjetin social Twitter theksoi se “Abolimi pa procesin e nevojshëm gjyqësor i mbron politikanët e korruptuar dhe bashkëpunëtorët e tyre. Lëreni Prokurorinë Speciale Publike dhe gjykatat që ta kryejnë punën e tyre”, shkroi ambasadori Baily.
Ndryshe, dje pas vendimit të presidentit Ivanov që të falë të gjithë politikanët e pushtetit dhe opozitës, mbrëmë në Shkup u zhvilluan protesta nga qytetarë të tubuar në mënyrë spontane.