02 tetor 2015•Përditësim: 03 tetor 2015
BUDAPEST (AA) – Viktor Orban, kryeministri i Hungarisë, kritikoi sot homologun e tij kroat, Zoran Milanoviç, duke e akuzuar se është i dërguari i organizatës globale majtiste puna e së cilës është të sulmojë vendin e tij, raporton Anadolu Agency (AA).
Orban tha se partia e Internacionales Socialiste, të cilës i përket edhe partia e Milanoviç-it, mbështesin emigrimin, duke vlerësuar se ardhja e tyre në Evropë është "një gjë e mirë".
"Megjithatë, deklaratën e Milanoviç-it nuk e shoh si një opinion të popullit kroat, por të delegatëve të Internacionales Socialiste e cila duhet të sulmojë Hungarinë", ka thënë Orban për radion shtetërore hungareze, duke shtuar se është tërhequr nga kritikat për paraqitjet publike të Milanoviç-it në interes të marrëdhënieve të ardhshme midis dy vendeve.
Muajin e kaluar, Peter Szijjarto, ministri i Jashtëm hungarez e quajti patetik trajtimin që u bën Milanoviç emigrantëve, ndërsa kryeministri kroat u përgjigj se rrethojat hungareze janë turp.
Politikanët e të dy vendeve filluan të shkëmbejnë fjalë të ashpra pas mbylljes së kufirit hungarez me tela me gjemba në drejtim të Serbisë të cilën e mbikëqyrin forca të shumta ushtarake dhe policore. Kjo shkaktoi një situatë kur mijëra emigrantë ndryshuan rrugën e tyre për në Europën Perëndimore.
Tani refugjatët udhëtojnë nëpërmjet Kroacisë, e cila transporton ata në vendkalimin kufitar me Hungarinë, ku ata vazhdojnë rrugën për në Austri. Zyrtarët hungarezë njoftuan se janë drejt fundit sa i përket ndërtimit të gardhit përgjatë kufirit me Kroacinë.