Stipe Mayiç
28 shtator 2015•Përditësim: 28 shtator 2015
ZAGREB (AA) - Kryeministri kroat, Zoran Milanoviç me rastin e hapjes së Biocentro në Borongaj, tha se refugjatët nuk do të hynë në Kroaci përmes kufirit të saj jugor dhe se ky lajm është përhapur nga opozita në vend. Ai tha se pret që kriza e refugjatëve në Evropë parasëgjithash të zgjidhet në Gjermani, e cila është më e prekura nga të gjitha, dhe kritikoi Kryeministrin serb Aleksandar Vuçiç, raporton Anadolu Agency (AA).
"Gjermania, e cila është shumë më madhe se Austria, ka vështirësi më të vogla, por kjo në njëfarë mënyre ka dhe fundin e saj, nga njëra anë më vjen mirë, nëse nuk keqkuptohem, se kriza që ka prekur Gjermaninë është një garanci se kjo do të ketë zgjidhje të shpejtë", tha kryeministri kroat.
"Ne kemi të bëjmë me një shtet i cili mund të jetë, por qeveria që e drejton nuk dëshiron, nuk e thotë të vërtetën, nuk i përmbahen marrëveshjeve", komentoi Milanoviç deklaratat e kryeministrit serb Aleksandar Vuçiç.
"Nuk dua më të bisedoj me të. Pesë muaj refugjatët nga Serbia kaluan në Hungari, sepse Hungaria është Shengen. Ishte kaos i pastër, por në një shkallë shumë më të vogël sesa sot. Kjo sot kërkon organizim. Shkoni në Opaovac dhe shikoni se si funksionon shteti juaj", tha kryeministri Milanoviç.
Lajmet për hyrjen e refugjatëve në brigjet e Dubrovnikut për Milanoviç-in janë shaka të atyre që qëllimisht përhapin panik në Kroaci dhe koordinohen përpara zgjedhjeve parlamentare në vend.
"Ata dëshirojnë që diçka e tillë të ndodh, Mesazhi im, sidomos për UNHCR-in, e cila i orienton këta njerëz, është të mos e bëjnë këtë. Kjo është shqetësuese, sepse refugjatët do të duhet të kalojnë më shumë kufinjë në zonat malore. Kroacia ka të drejtë të thotë: Dyert tona janë të hapura, por ku themi ne, pra në veri. Të mos kalohet përmes Dubrovnikut. Ata që dërgojnë refugjatët atje, dhe kjo ka të bëjë me orientim të organizuar të njerëzve, u bën keq atyre. Kemi shumë arsye që të themi:’Shkoni lart, do t'i përballojmë disi, jemi në konsultim me fqinjët tanë perëndimorë’”, tha Milanoviç.
"Përderisa problemi nuk zgjidhet në Greqi, nuk ka asgjë. Për mua Greqia është problemi i hyrjes. Turqia nuk është anëtare e Bashkimit Evropian. Para së gjithash Turqia duhet të ndihmohet financiarisht, sepse atje ka rreth dy milionë refugjatë. Greqia nuk bën absolutisht asgjë. Greqia është anëtare e Shengen-it dhe për Kroacinë është rrezik të jesh në Shengen kështu si funksionon sot. Kroacia nuk do të ekspozohet ndaj këtij rreziku derisa të qartësohen të gjitha gjërat", theksoi Kryeministri kroat.
"Kroacia ka të drejtë që të mbyllë kufirin jugorë. Nuk do të ketë kurrfarë qendre të pritjes në jug, ju garantoj", tha Milanoviç.
Kryeministri shprehu keqardhje për mosprezencën e presidentes kroate Grabar-Kitaroviç në pritjen e organizuar nga Angela Merkel, në New York, siç vlerësoi, me liderin e vërtetë perëndimorë, por është takuar me Tomisllav Nikoliçin.
Sipas raportit të fundit të Ministrisë së Brendshme, nga mesnata deri në orën 09:00 të mëngjesit, në Republikën e Kroacisë kanë hyrë rreth 1000 refugjatë. Aktualisht në qendrën e pritjes të përkohshme në Opatovac janë vendosur rreth 500 persona. Të gjithë emigrantët që mbërrijnë në zonën Bapska dhe Tovarnik do të transportohen gjatë ditës me autobus dhe tren në Hungari. Numri i përgjithshëm i emigrantëve që kanë hyrë në Kroaci nga fillimi është mbi 78 mijë.