Besar Ademi
18 shtator 2015•Përditësim: 18 shtator 2015
SHKUP (AA) – Pas takimit të pestë të Dialogut Aderue mes Republikës së Maqedonisë dhe Bashkimit Evropian, kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevki dhe Komisioneri për fqinjësi dhe negociata të zgjerimit, Johannes Hahn, vlerësuan se marrëveshja politike është një bazament i mirë për të tejkaluar me sukses të gjitha sfidat, raporon Anadolu Agency (AA).
Kryeministri Gruevski në konferencën e përbashkët me eurokomisionerin, theksoi se implementimi i Marrëveshjes së qershorit dhe korrikut, që do të përfundojë me zgjedhje të parakohshme në prill të vitit të ardhshëm, është një rëndësi e madhe për Republikën e Maqedonisë.
“Pavarësisht sfidave me të cilat u përballëm, Maqedonia do të vazhdojë me ritëm edhe më të fortë në zbatimin e reformave evropiane në fushat kryesore për integrimin tonë Bashkimin Evropian. Ekonomia, gjyqësori, arsimi, media, dialogu politik dhe thellimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore do të jenë fokusi ynë. Fillimi i negociatave për pranimin e Maqedonisë është i mundur dhe i nevojshëm, patjetër duhet të ndodhë”, deklaroi kryeministri Gruevski.
Kryeministri Gruevski komentoi edhe krizën e refugjatëve me të cilën muajve të fundit përballet vendi. Ai tha se Maqedonia në këtë çështje ka treguar solidaritet, si një vend partner i Evropës për tejkalimin e krizës në fjalë.
“Maqedonia edhe me këtë krizë përballet si duhet, me aktivitete të cilat rregullisht i kanë zbatuar institucionet e kontrollit për mbrojtjen e kufijve sipas standardeve evropiane, me regjistrimin e refugjatëve dhe me përgjigje njerëzore i kanë lejuar refugjatët në kohë për të vazhduar udhëtimin e tyre”, theksoi Gruevski.
Nga ana tjetër, komisioneri evropian Hahn tha se ndodhet në Maqedoni për të parë deri ku ka arritur vendi me zbatimin e reformave evropiane dhe për t’i uruar udhëheqësit e partive politike për atë që e kanë arritur deri më tani.
“Të gjithë partnerët e mi konfirmuan se zgjedhjet duhet të mbahen deri në prill të vitit të ardhshëm, ashtu siç edhe u dakorduam me liderët politik. Është një detyrim që duhet të përmbushet në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve, duhet të përgatiten në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare”, deklaroi komisioneri Hahn.
Në lidhje me krizën e refugjatëve, komisioneri Hahn theksoi se Bashkimi Evropian nuk do të lejojë që Maqedonia të jetë viktimë e kësaj krize dhe do të ndihmojë vendin në këtë çështje.