Emel Öz
17 Shkurt 2022•Përditësim: 17 Shkurt 2022
Të paktën 90 milionë dollarë nevojiten për riparimin dhe zbutjen e efekteve të shpërthimit vullkanik dhe cunamit që goditi vendin ishullor Tonga në Paqësor në janar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Koordinatori i Përhershëm i OKB-së për Tongën, Sanaka Samarasinha në një takim online tha se efektet e shpërthimeve vullkanike dhe cunamit janë ndjerë nga rreth 80 për qind e popullsisë së këtij vendi të Paqësorit ku jetojnë 105 mijë banorë.
Samarasinha tha se sezoni i uraganeve është ende në ecje të plotë dhe një tërmet regjistrohet në zonë pothuajse çdo javë.
Ai theksoi se të paktën 90 milionë dollarë duhet të ndahen për të riparuar dëmet dhe për të eliminuar pasojat në bujqësi dhe peshkim dhe se 14 agjenci të OKB-së dhe komuniteti ndërkombëtar po japin mbështetje për Tongën.
Për këtë vend janë siguruar rreth 40 tonë ujë dhe material sanitar ndërsa përmes shërbimeve të telekomunikacionit dhe logjistikës emergjente, Tonga është rilidhur me pjesën tjetër të botës.
Vullkani, 65 kilometra nga kryeqyteti Nuku'alofa, filloi të nxjerrë hi më 15 janar.
Pas shpërthimit u dha një alarm për cunami në Tonga, Zelandën e Re, SHBA, Kanada, Kili dhe Japoni. Cunami goditi pothuajse të gjithë ishujt e Tongës.