Fuat Kabakcı
17 Shkurt 2021•Përditësim: 17 Shkurt 2021
Raportuesi Special i OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Mianmar, Tom Andrews paralajmëroi se me dërgimin e trupave shtesë të administratës ushtarake në Yangon dhe qytetet tjera përreth, protestat masive të planifikuara nga kundërshtarët e grushtit të shtetit në Mianmar mund të rezultojnë në dhunë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Adrews, në deklaratën e tij njoftoi se administrata ushtarake në vend ka dërguar ushtarë në qendrën financiare Yangon dhe qytetet tjera përreth ndërsa kundërshtuesit e puçit kanë bërë thirrje për organizimin e demonstratave masive.
Ai me shembuj tregoi se dërgimi i trupave ushtarake në vendet ku zhvillohen protesta masive rezulton me arrestime masive, vdekje dhe zhdukje.
"Ne mund të jemi në skajin e humnerës në lidhje me çështjen që ushtria të kryejë krime më të mëdha kundër popullit të Mianmarit", tha Andrews.
Grushti i shtetit në Mianmar
Ushtria e Mianmarit, pas pretendimeve për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020, mori pushtetin më 1 shkurt dhe shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit.
Më pas u arrestuan presidenti Win Myint dhe ministrja e Jashtme, njëherësh liderja e vendit, Aung San Suu Kyi si dhe figura të tjera kryesore të partisë në pushtet Lidhja Kombëtare për Demokraci (NLD).
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Min Aung Hlaing, i cili mori administrimin e vendit, premtoi rikthim në zgjedhje demokratike pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme, ndërsa liderja Aung San Suu Kyi i bëri thirrje vendit për të protestuar kundër grushtit të shtetit.
Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe shumë vende, përfshirë Turqinë kanë reaguar ashpër ndaj puçit ushtarak.
Kundër grushtit të shtetit në vend filluan protesta më 6 shkurt me kërkesën për kthimin në demokraci ndërkohë që policia në disa raste ka ndërhyrë ndaj demonstruesve, kurse ushtria ka shpallur shtetrrethim në disa qytete.