Bota

OKB e kënaqur me takimet e Komitetit Kushtetues Sirian

"Përfaqësuesi Special Pedersen është i kënaqur me përparimet e takimeve. Për shumë çështje janë pajtuar në një kohë të shkurtër", tha Jennifer Fenton për AA

Ekip   | 05.11.2019
OKB e kënaqur me takimet e Komitetit Kushtetues Sirian

Gjenevë

Jennifer Fenton, zëdhënëse e Përfaqësuesit Special të OKB-së për Sirinë Geir Pedersen, ka deklaruar se takimet në vazhdim të Komitetit Kushtetues Sirian janë duke përparuar në "mënyrë pozitive", raporton Anadolu Agency (AA).

"Përfaqësuesi Special Pedersen është i kënaqur me përparimet e takimeve. Për shumë çështje janë pajtuar në një kohë të shkurtër", tha Fenton për AA.

Raundi i parë i takimeve të Komitetit Kushtetues Sirian filloi më 30 tetor me pjesëmarrjen e 150 anëtarëve të komitetit dhe përfundoi më 1 nëntor.

Një komitet i hartimit me 45 persona, i përbërë nga 15 persona të grupit të regjimit sirian, 15 anëtar të opozitës dhe 15 nga shoqëria civile filluan raundin e dytë të bisedimeve të hënën. Takimi zgjati rreth dy orë.

Respektivisht, përfaqësuesit e shoqërisë civile, disidentët dhe bordi hartues i regjimit sirian mirëpritën zyrtarët e OKB-së tek dera.

Fenton vuri në dukje se palët ishin pajtuar për "rregullat e sjelljes dhe protokollit" që Pedersen kishte caktuar për takimet.

Hadi al-Bahra, bashkë-kryetar i grupit të opozitës, dje tha se mbledhja kishte dhënë mesazhe pozitive. Ai theksoi se takimi i së hënës shkoi mirë duke krijuar ambient për diskutim mbi kushtetutën.

Komiteti Kushtetues Sirian ka dy struktura, një grup të madh dhe një grup të vogël.

Ka një bord hartues prej 45 personash, puna e të cilit duhet të miratohet nga një strukturë më e madhe prej 150 personash, me konsensus ose miratim nga të paktën 75 për qind të anëtarëve.

Komiteti Kushtetues ka dy bashkë-kryetar, duke përfshirë Al-Bahran, ish-kryetarin e Koalicionit Kombëtar të Opozitës Siriane, si dhe bashkë-kryetarin e regjimit Ahmed Kuzbari, një avokat nga komiteti që hartoi kushtetutën e mëparshme.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın