Barış Seçkin
22 Tetor 2017•Përditësim: 22 Tetor 2017
ROMË (AA) – Në dy rajone të pasura të Italisë, Lombardia dhe Veneto, sot mbahet referendumi për një autonomi më të gjerë në disa fusha e jo për pavarësi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA, të drejtën e votimit në Lombardia e kanë 7.9 milionë votues, kurse në Veneto rreth katër milionë. Votimi filloi në orën shtatë sipas kohës lokale dhe përfundon në ora 23.
Në qendrat e votimit në Lombardia, janë shpërndarë 24.400 tableta përmes të cilave do të zhvillohet votimi, ndërsa votuesit në Veneto do të kenë qasje më tradicionale.
Që referendumi të jetë i suksesshëm në Veneto, nevojitet pjesëmarrje prej 51 për qind, ndërsa një gjë e tillë nuk nevojitet në Lombardia.
Nëse shumica e votuesve mbështesin autonomi më të gjerë, priten negociata me qeverinë në Romë.
Disa qarqe në vend referendumin e konsiderojnë si të panevojshëm, pasi ai nuk i referohet shkëputjes.
Mediat italiane raportojnë se kostot e referendumit me qëllim të konsultimeve të cilat organizohen në dy rajonet arrijnë në rreth 65 milionë euro.