Behlül Çetinkaya
28 Shkurt 2019•Përditësim: 28 Shkurt 2019
Ministri i Jashtëm i Pakistanit, Shah Mahmood Qureshi, është shprehur se mund të dorëzojnë pilotin indian nëse tensionet do të ulen, transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke folur për Geo News, ministri Qureshi ka njoftuar se nga pala indiane kanë marrë një dosje në lidhje me sulmin e përjetuar në Pulwama, por se nuk e kanë shqyrtuar ende në detaje. "Ne do ta shqyrtojmë me sinqeritet dosjen. Fillimisht ata sulmuan dhe më pas dërguan dosjen. Sikur ta kishin dërguar më parë dhe të kishin pritur përgjigjen e Pakistanit nuk do të kishte nevojë për të sulmuar", shtoi ai.
Pasi ka theksuar se kryeministri pakistanez, Imran Khan, për të zgjidhur problemin me dialog është i gatshëm të bisedojë me kryeministrin indian, Narendra Modi, ministri Qureshi tha se "Khan është i gatshëm të ripërsërisë propozimin për paqe dhe bisedë telefonike me Modin. A është Modi i gatshëm? Mund ta dorëzojmë pilotin indian nëse tensionet do të ulen. Ne jemi të hapur për të gjitha llojet e komunikimit pozitiv".
Ndër të tjera Qureshi ka rikujtuar se ata janë të gatshëm të bisedojnë me Indinë për terrorizmin. "Me qëllime politike ju doni të rrezikoni stabilitetin rajonal dhe paqen. Ju mund ta bëni këtë për politikë, por historia nuk do t'ju falë kurrë. Qëllimi ynë më i rëndësishëm është paqja dhe stabiliteti", theksoi ai.
Në lidhje me ftesën e dërguar ndaj ministres së Punëve të Jashtme të Indisë, Sushma Swaraj, si e ftuar nderi në takimin e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OBI) që do të zhvillohet në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), ministri Qureshi tha se "India nuk është as vend anëtar i OBI-t dhe as vëzhgues. Kam biseduar me ministrin e Jashtëm të EBA-s, pasi i kam përcjellë rezervat e Pakistanit për këtë vendim i kam shprehur se duhej të konsultoheshin me ne më parë".
-
Tensionet Indi-Pakistan Tensionet e fundit mes Indisë dhe Pakistanit, filluan me sulmin me bombë të ndërmarrë më 14 shkurt ndaj autokolonës me forca paramilitare në pjesën e Kashmirit nën drejtimin e Indisë ku dhe humbën jetën 44 persona.
Qeveria e New Delhi-t akuzoi Pakistanin për mbështetje të terroristëve që kryen sulmin. Ndërsa Pakistani refuzoi akuzën duke dënuar sulmin.
India me 26 shkurt njoftoi që kishte ndërmarrë një sulm ajror ndaj objektivave terroriste të cilat ndodheshin në Vijën e Kontrollit të Kashmirit në anën e Pakistanit.
Pakistani dje në mëngjes me arsyetimin e shkeljes së hapësirës ajrore të tij njoftoi rrëzimin e 2 avionëve luftarakë të Indisë.
Teksa India deklaroi rrëzimin e një avioni luftarak të Pakistanit, qeveria e Islamabadit nuk e konfirmoi këtë.
Qeveria dhe ushtria e Pakistanit kishin theksuar se nuk dëshirojnë përshkallëzimin e tensioneve.
Ndërsa kryeministri i Indisë, Narendra Modi, akuzoi Pakistanin se po përpiqet të destabilizojnë vendin e tij.
Turqia, Bashkimi Evropian, Gjermania, Britania, Kina dhe Rusia u sugjeruan palëve vetëpërmbajtje.