Bota

Ministrat e Jashtëm të BE-së mblidhen në Bruksel

Ministrat e BE-së pritet të marrin vendim sanksionues ndaj disa zyrtarëve rusë me arsyetimin se kanë kryer shkelje të të drejtave të njeriut në arrestimin e Navalny-t dhe mbështetësve të tij

Ömer Tuğrul Çam  | 22.02.2021 - Përdıtësım : 22.02.2021
Ministrat e Jashtëm të BE-së mblidhen në Bruksel

Bruksel

Ministrat e Jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian u mblodhën me një axhendë intensive, kryesisht për një vendim sanksionues ndaj Rusisë për shkak të arrestimit të opozitarit rus Alexei Navalny, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministrat e mbledhur në Bruksel nën kryesimin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Josep Borrell, pritet të marrin vendim sanksionues ndaj disa zyrtarëve rusë me arsyetimin se kanë kryer shkelje të të drejtave të njeriut në arrestimin e Navalny-t dhe mbështetësve të tij.

Ministrat do të marrin vendim për sanksione edhe ndaj disa zyrtarëve ushtarakë në Mianmar ku ushtria ka kryer grusht shteti. Gjithashtu do të vendoset edhe për zbatimin e sanksioneve ndaj disa zyrtarëve venezuelas me arsyetimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut si dhe sanksione ndaj disa zyrtarëve zgjedhorë për shkak të roleve të tyre në zgjedhjet parlamentare të mbajtura në dhjetor në Venezuelë dhe të cilat BE-ja nuk i ka njohur me arsyetimin se nuk janë të drejta.

Në axhendën e ministrave ndodhen edhe çështjet si marrëveshja bërthamore me Iranin, situata në Bjellorusi, Etiopi dhe Hong Kong si dhe dokumenti i emërtuar "Busulla Strategjike" e cila synon forcimin e sigurisë dhe mbrojtjes së përbashkët të BE-së.

Në takimin e ministrave evropianë do të marrë pjesë nëpërmjet video-konferencës edhe sekretari i Shtetit i SHBA-së, Anthony Blinken i cili do të shkëmbejë pikëpamjet e tij për rreth 2 orë. Pritet që ministrat e vendeve të BE-së të marrin fjalën një nga një dhe të flasin për çështjet që vendet e tyre i kushtojnë rëndësi.

Në një deklaratë para takimit, Borrell tha se pjesëmarrja e sekretarit Blinken në takim do të jetë një mundësi e rëndësishme nga pikëpamja e forcimit dhe përditësimit të marrëdhënieve transatlantike.

Ndërsa lidhur me çështjen e Rusisë, Borrell tha se do të zhvillojnë një seancë shumë të rëndësishme dhe se do të vendosin se si do të kundërpërgjigjen ndaj qëndrimit të Rusisë e cila ndodhet përballë BE-së në çështjen Navalny.

"Shpresoj se këtë do ta bëjmë në unitet dhe në mënyrë të vendosur", tha Borrell.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.