Ömer Faruk Yıldız
26 Prill 2021•Përditësim: 26 Prill 2021
Është rritur në 751 numri i personave që kanë humbur jetën në Mianmar si pasojë e ndërhyrjes me armë nga forcat e sigurisë në protestat që zhvillohen kundër grusht shtetit ushtarak dhe arrestimit të anëtarëve të qeverisë së zgjedhur, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas raportit ditor të publikuar nga Shoqata e Ndihmës për të Burgosurit Politikë (AAPP), në 24 orët e fundit janë konfirmuar edhe 6 humbje të jetëve të tjera, duke rritur në të paktën 751 numrin e viktimave.
Në raport thuhet se në vend nën arrest ndodhen 3.431 persona dhe se ka një urdhër arresti për 1.159 persona të tjerë.
Arrestohet shkrimtarja kundër grushtit të shtetit
Mësohet se është arrestuar Tu Tu Tha shkrimtarja dhe gazetarja nga Mianmari e cila mbështet protestat kundër grushtit të shtetit ushtarak.
Anëtarët e familjes të cilët kanë folur për faqen "Myanmar Now", kanë theksuar se Tha është arrestuar natën e 24 prillit bashkë me djalin e saj 18 vjeç në shtëpinë e tyre në zonën Thanlyin të Yangonit.
Familjarët e saj kanë theksuar se nuk kanë dijeni se ku po mbahet nën arrestim Tha.
Grusht shteti ushtarak në Mianmar
Ushtria e Mianmarit pas pretendimeve nga grupet e afërta politike pranë saj për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.
Ushtria në vend shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit, ndërsa më pas arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.
Në vend vazhdojnë protestat me pjesëmarrje të gjerë dhe gjykimet në gjykatat ushtarake për zyrtarët e nivelit të lartë nën arrest.