Bota

Merkel-Guterres: Dakordohen hapat për armëpushim në Libi

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se fuqitë botërore dhe aktorët rajonalë u dakorduan për hapa të rinj për të mbështetur armëpushimin dhe për të respektuar embargon e armëve

Cüneyt Karadağ  | 19.01.2020 - Përdıtësım : 20.01.2020
Merkel-Guterres: Dakordohen hapat për armëpushim në Libi

Berlin

Gjatë Konferencës së Berlinit për paqen në Libi u dakorduan hapat e rinj për të mbështetur armëpushimin dhe për të vëzhguar embargon e armëve, tha kancelarja gjermane Angela Merkel, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një konferencë për media pas mbarimit të samitit që mblodhi forcat botërore dhe aktorët rajonalë, përfshirë presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan, Merkel tha se të gjithë pjesëmarrësit ranë dakord se nuk mund të ketë zgjidhje ushtarake për konfliktin libian.

"Ne arritëm një marrëveshje për një plan gjithëpërfshirës", tha ajo, duke shtuar se ata gjithashtu ranë dakord për masa të reja për të respektuar rreptësisht embargon e armëve.

Merkel tha se palët ndërluftuese gjithashtu ranë dakord të caktojnë anëtarët në një komision ushtarak me pesë anëtarë nga secila palë, siç parashikohet nga OKB, për të monitoruar zbatimin e armëpushimit.

Që nga rrëzimi i Muammar Gaddafit në vitin 2011, në Libi u shfaqën dy qeveri rivale, njëra në Libinë lindore dhe Qeveria e Pajtimit Kombëtar (GNA) me qendër në Tripoli, që gëzon njohjen e OKB-së dhe atë ndërkombëtare.

Përpos kësaj, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, pas konferencës tha se "falë takimit në Berlin, ishte e mundur sot të pranojmë pesë delegatët ushtarakë të anës së Marshallit Haftar. Ne kishim tre dhe tani kemi edhe dy të tjerë në anën e LNA-së", theksoi ai duke, iu referuar të ashtuquajturës Ushtri Kombëtare Libiane të gjeneralit rebel Khalifa Haftar me bazë në Libinë lindore.

"Pra, tani kemi kushte për të mbledhur në Gjenevë komitetin ushtarak brenda ditëve të ardhshme", shtoi Guterres.

Ai gjithashtu tha se "vendet anëtare, së bashku me organizatat rajonale dhe ndërkombëtare kanë dërguar një sinjal të fuqishëm se ne jemi plotësisht të përkushtuar për të mbështetur një zgjidhje paqësore të krizës në Libi".

3 pika 

Guterres theksoi tre pika të ngritura në samit, duke thënë: "Së pari, unë nuk mund të theksoj sa duhet përfundimin e samitit se nuk ka asnjë zgjidhje ushtarake për konfliktin në Libi".

"Të gjithë pjesëmarrësit u angazhuan për t'u përmbajtur nga ndërhyrja në konfliktin e armatosur ose punët e brendshme të Libisë", tha gjithashtu ai, duke shtuar: "Së dyti, ne u bëmë thirrje të gjithë aktorëve që të përmbahen nga çdo veprimtari që përkeqëson konfliktin".

Guterres gjithashtu deklaroi se ai i nxiti të gjitha palët të zbatojnë embargon e armëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

"Së treti, kthimi në procesin politik është thelbësor", tha Guterres, duke shtuar se të gjithë pjesëmarrësit ranë dakord për të zbatuar një armëpushim në shkallë të plotë në Libi.

Qeveria e Libisë në Tripoli që nga muaji prill i vitit të kaluar është sulmuar nga kryekomandanti i forcave jolegjitime në lindje të vendit, Khalifa Haftar, ndërsa gjatë luftimeve në nëntë muajt e fundit kanë humbur jetën më shumë se 1.000 njerëz.

Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), mbështetësit kryesorë të Haftarit, janë kritikuar shumë nga qeveria legjitime e Libisë për nxitjen e konfliktit.

Presidenti turk Erdoğan, njëri prej liderëve kryesorë në takim, riafirmoi mbështetjen e fuqishme të Turqisë për qeverinë e njohur ndërkombëtarisht të Libisë.

Ai gjithashtu ka kritikuar Egjiptin, EBA-në dhe Arabinë Saudite për mbështetjen e forcave të Haftarit, të cilat, siç ka thënë ai, "kërkojnë të kryejnë një grusht shteti në vend".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın