Fatjon Cuka
25 Nëntor 2015•Përditësim: 25 Nëntor 2015
TIRANË (AA) - Në Berlin është mbajtur konferenca e VII të ministrave të Punëve të Jashtme të Evropës Juglindore. Në fokus të konferencës ishin paketa e zgjerimit për Ballkanin Perëndimor, metodologjia e re e Komisionit Evropian në këtë drejtim, kriza e refugjatëve dhe migracioni, lufta kundër terrorizmit si dhe politikat e integrimit në strukturat Euro-Atlantike, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati mori pjesë në këtë konferencë me ftesë të Ministrisë Federale të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë dhe Institutit Aspen.
Duke u ndalur në zhvillimet më të fundit dhe krizat migratore me të cilat përballen sot BE-ja dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, ministrat vunë theksin në impaktin që kanë fenomene të tilla në jetën e përditshme të qytetarëve si dhe nevojën për një qasje kolektive në përballimin e tyre, duke bërë thirrje për solidaritet, përgjegjshmëri dhe bashkëpunim pragmatik mes vendeve anëtare dhe atyre të Ballkanit Perëndimor.
Nga burimet zyrtare të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, mësohet se ministri Bushati u ndal në forcën gravitacionale të BE-së si faktori kryesor në formësimin e jetës ekonomike, politike dhe sociale ne Ballkanin Perëndimor, si dhe kujdesin që duhet të tregohet, në mënyrë që kriza të tilla si ajo e refugjatëve të mos ndikojnë në politikën e zgjerimit të BE-së.
Në fjalën e tij, Bushati nënvizoi se: “Ndërsa Ballkani Perëndimor ka operuar mbi një pakt stabiliteti, procesi i Berlinit mundësoi krijimin e një pakti ndërlidhshmërie dhe tashmë vendet tona janë në kërkim të një pakti demokracie dhe zhvillimi".
Gjatë qëndrimit në Berlin, Bushati zhvilloi gjithashtu takime në Bundestag si dhe në Kancelarinë Federale për të këmbyer pikëpamje mbi ecurinë e reformave në Shqipëri dhe zhvillimet më të fundit në rajon.