Fatjon Cuka
05 Nëntor 2015•Përditësim: 05 Nëntor 2015
TIRANË (AA) - Konferenca "Shqipëria në Procesin e Berlinit: Vlerësime dhe Rekomandime-Vjeshtë 2015", mblodhi së bashkë diplomatë, zyrtarë të shtetit shqiptar, si dhe ekspertë të procesit të integrimit nga rajoni për shpalosur kontekstin e këtij procesi, raporton Anadolu Agency (AA).
Analizat e të pranishmëve dhe debatet ofruan një vlerësim të pavarur të progresit të Shqipërisë në Procesin e Berlinit. Gjithashtu u shpalos konteksti i Procesit të Berlinit dhe impakti e tij në Shqipëri, ndërveprimin me procesin e asociimit në Bashkimin Europian, rolin e aktorëve kryesorë shqiptarë dhe ndërkombëtarë, mekanizmat e financimit të projekteve të konektivitetit dhe aktorët institucionale.
Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Hellmut Hoffmann në fjalën e tij u ndal në rolin e shkëmbimeve rinore mes vendeve të përfshira në Procesin e Berlinit, gjithashtu edhe të shoqërisë civile, duke theksuar se duhet bërë më shumë në këtë drejtim.
Ndërsa ambasadori i Francës në Shqipëri, Bernard Fitoussi u ndal në proceset integruese të Ballkanit Perëndimor. “Pa integrimin e Ballkanit Perëndimor, nuk mund të ketë një proces të plotë evropian, një proces kontinental ashti siç u konceptua në fillimet e tij. Sigurisht që ka kushte për tu plotësuar, ka edhe shembuj suksesi, si Sllovenia dhe Kroacia. Vendet e Ballkanit perëndimor mund të nxjerrin përfundimin se kushtet që iu imponohen atyre nuk janë të pa realizueshme, dhe kështu duhet ta konceptojnë procesin e Berlinit, që mund të quhet një proces konkretizimi - u shpreh Fitoussi.
Pjesëmarrësit në këtë konferencë gjithashtu janë njohur me stadin e avancimit të përgatitjes së projekteve për financim, sektorët prioritarë dhe problemet që duhen trajtuar për një aplikim të suksesshëm. Diskutime ka patur edhe mbi mënyrat se si qeveria, parlamenti, shoqëria civile, dhe biznesi duhet të bashkëpunojnë për një paraqitje efikase dhe dinjitoze në Samitin e Parisit në 2016.
Konferenca në fjalë mblodhi së bashku në Tiranë politikbërësit, përfaqësuesit nga komunitetet e biznesit, akademikët, shoqërinë civile, median, nga Shqipëria si dhe nga rajoni i Ballkanit Perëndimor.