Lokman İlhan,Atılgan Özdil
05 Dhjetor 2018•Përditësim: 05 Dhjetor 2018
LOKMAN ILHAN, ATILGAN OZDIL
TIJUANA (AA) - Më shumë se 9,000 emigrantë nga Amerika Qendrore, shumica nga Hondurasi, arritën në Tijuana të Meksikës, duke pritur që Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) të hapnin dyert e tyre.
Policia amerikane me 25 nëntor gjatë ndërhyrjes përdori gaz lotsjellës, kurse pasojat i ndjeu emigrantja nga Hondurasi, Maria Lila Meza Castro dhe djali i saj. Kjo grua, nëna e 5 fëmijëve, është një nga shumë njerëz që presin në kufi, ndërkaq kërkoi edhe ndihmën e presidentit të SHBA-ve, Donald Trump.
Castro kujton ngjarjet e asaj dite dhe për Anadolu Agency (AA) tha se nuk prisnin që forcat amerikane të reagonin në atë mënyrë.
"Papritmas filluan të hedhin bomba tymuese. Njëra prej tyre ra në vendin ku isha dhe unë me fëmijët. Djali u përkeqësua, kurse më vonë dhe unë. Një djalë i ri na solli ujë dhe na lau sytë. Sapo erdha në vete, i kapa fëmijët dhe u largova", tregon Castro.
Ajo thotë se ata duan vetëm punë dhe se luten për hapjen e kalimit kufitar.
"Shtetet e Bashkuara janë një vend i mundësive, kurse Hondurasi është një vend i varfër, prandaj kemi marrë këtë rrugë. Në Honduras kam punuar në punë të kohëpaskohshme javore, por nuk më paguanin. Me të vërtetë nuk dimë se çka të bëjmë. Ne duam që presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, të na ndihmojë", tha Castro.
Një grup njerëzish në Tijuana të Meksikës, me arsyetimin se kërkesat e tyre për azil u janë marrë me vonesë për shqyrtim, më 25 nëntor, u drejtuan drejt kufirit dhe disa prej tyre më vonë u përpoqën të kalonin kufirin ilegalisht. Forcat e sigurisë amerikane ndërhynë dhe përdorën gaz lotsjellës. Qeveria e Meksikës ka kërkuar hetim lidhur me këtë rast.
Nga ana tjetër, në El Paso, në Teksas, jo larg nga kufiri meksikano-amerikan, u kapën 400 migrantë që kishin kaluar kufirin ilegalisht.
Zëdhënësi i Forcave kufitare të SHBA-ve, Fidel Baca, tha se të gjithë emigrantët, duke përfshirë gra dhe fëmijë, u kapën në të njëjtën ditë, njoftuan mediat meksikane.
Ende nuk dihet nëse ata ishin pjesë e karvanit të madh, shumica e të cilëve kishin arritur në Tijuana, kurse Baca shtoi se këta njerëz vetë u ishin dorëzuar forcave të sigurisë dhe kanë aplikuar për azil.