Bota

Macron: Evropa e fuqishme, nëse ndihmon në kompromisin Kosovë-Serbi

“Nuk ka zgjidhje të çuditshme apo magjike, jo në xhepin e francezëve, gjermanëve apo edhe të amerikanëve. Përgjigjja është në zemrat tuaja dhe në inteligjencën e vendimmarrësve”, tha Macron

Talha Öztürk  | 16.07.2019 - Përdıtësım : 16.07.2019
Macron: Evropa e fuqishme, nëse ndihmon në kompromisin Kosovë-Serbi

Beograd

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka deklaruar se vendi i tij është i angazhuar në gjetjen e një “marrëveshjeje globale dhe të përhershme” për mosmarrëveshjen midis Beogradit dhe Prishtinës, raporton Anadolu Agency (AA).

Komentet e presidentit Macron erdhën dje në një konferencë të përbashkët për media me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, gjatë një vizitë zyrtare në kryeqytetin serb Beograd.

Duke folur për çështjen e Kosovës, Macron njoftoi se do të organizojë një takim të veçantë me udhëheqjen e Kosovës dhe Serbisë, që do të përfshinte edhe kancelaren gjermane, Angela Merkel.

“Nëse Evropa dëshiron të jetë e fuqishme, mund të jetë nëse Evropa ndihmon Serbinë dhe Kosovën të gjejnë kompromis. Mendoj se është përgjegjësia jonë t’ju japim mbështetje gjatë rrugës për të arritur marrëveshje”, deklaroi Macron.

Ai po ashtu tha se Franca dhe Gjermania mbështesin rifillimin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë për të gjetur një zgjidhje në periudhën e ardhshme.

“Franca, së bashku me Gjermaninë, janë të gatshme të mbështesin rifillimin e dialogut që synon gjetjen e një zgjidhjeje në muajt e ardhshëm. Nuk ka zgjidhje të çuditshme apo magjike, jo në xhepin e francezëve, gjermanëve apo edhe të amerikanëve. Përgjigjja është në zemrat tuaja dhe në inteligjencën e vendimmarrësve”, tha Macron.

Ai shtoi se një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë po ashtu do të ishte një test për Evropën.

“Unë me të vërtetë besoj se e ardhmja e Serbisë është të jetë gati për të ndërtuar një marrëveshje të tillë dhe është një test për vetë Evropën, pavarësisht nëse është në gjendje të nxjerrë një marrëveshje të tillë”, u shpreh Macron.

Presidenti francez po ashtu theksoi se paralelisht me reformat që Serbia duhet t’i zbatojë në rrugën për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian (BE), blloku duhet të reformohet vetë për të qenë gati për Serbinë.

Macron tha se ai beson se BE-ja aktualisht nuk funksionon mirë dhe se duhej të merrte vendime e reforma të shpejta për të funksionuar më mirë.

Pas konferencës për media, Macron dhe Vuçiç ndoqën një ceremoni për nënshkrimin e 22 marrëveshjeve të reja dypalëshe.

Fillimisht, Macron planifikoi të vizitojë Serbinë dhjetorin e vitit 2018, por vizita u prolongua për shkak të protestave të “jelekëve të verdhë”.

Kjo është vizita e parë e një presidenti francez në Serbi që nga viti 2001.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.