1 23
04 Tetor 2021•Përditësim: 04 Tetor 2021
Dhoma e Përfaqësuesve të Libisë ka miratuar një ligj mbi zgjedhjet legjislative në prag të votimit të planifikuar për më 24 dhjetor të këtij viti, transmeton Anadolu Agency (AA).
Agjencia zyrtare libiane e lajmeve citoi zëdhënësin e parlamentit, Abdullah Belhaq, i cili tha se "në seancën e sotme u miratua dhe kështu parlamenti ka kompletuar legjislacionin e nevojshëm për të organizuar zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare".
Sipas agjencisë, seanca e sotme u drejtua nga zv/kryetari i parë i parlamentit, Fawzi Al-Nuwairi, dhe iu kushtua votimit të Ligjit Nr. 10 të vitit 2021 për zgjedhjen e Dhomës së Përfaqësuesve të ardhshëm.
Organi legjislativ, më 8 shtator, pasi e miratoi atë, ligjin për zgjedhjet presidenciale ia kishte paraqitur të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara (OKB) për Libinë, Jan Kubis.
Neni 12 i ligjit ngjalli polemike pasi u mundëson kandidatëve, qofshin atyre civilë apo ushtarakë, të drejtën për të kandiduar në zgjedhje pa hequr dorë nga postet e tyre ekzistuese, duke i lejuar ata të kthehen në pozicionin e tyre në rast të humbjes. Kritikët e konsiderojnë këtë si një hyrje të kandidimit të gjeneralit renegat, Khalifa Haftar.
Më 19 shtator, Këshilli i Lartë i Shtetit njoftoi se ka miratuar një "draft-bazë kushtetuese" për mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe presidenciale në rast se nuk arrihet të organizohet një referendum popullor mbi një projekt kushtetues për vendin.
Deri sot, partitë libiane nuk arritën të pajtohen mbi një bazë kushtetuese që rregullonte mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme.
Një autoritet i përkohshëm i përbërë nga një qeveri uniteti dhe një këshill presidencial mori detyrën më 16 mars për të udhëhequr vendin drejt zgjedhjeve.