Ayhan Şimşek
04 Tetor 2021•Përditësim: 05 Tetor 2021
Ministri grek për Migracion dhe Azil, Notis Mitarachi, ka deklaruar se evropianët duhet të respektojnë angazhimet e tyre ndaj Turqisë në kuadër të marrëveshjes për migracionin të nënshkruar në vitin 2016 midis Bashkimit Evropian (BE) dhe Turqisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke folur për të përditshmen gjermane 'Die Welt', Mitarachi tha se marrëveshje për migracionin BE-Turqi duhet të zbatohet nga të dyja palët për të menaxhuar flukset e refugjatëve dhe për të ndaluar trafikimin e paligjshëm në Detin Egje.
"BE po ashtu i ka bërë premtime Turqisë në lidhje me liberalizimin e vizave dhe tregtinë dhe ajo duhet t'i respektojë këto angazhime. Dhe, ne presim që Turqia të zbatojë atë për të cilën është pajtuar", tha Mitarachi.
Marrëveshja e refugjatëve midis BE-së dhe Turqisë në mënyrë efektive ndaloi flukset e parregullta të refugjatëve në Evropë, por Ankaraja në vazhdimësi ka kritikuar partnerët e saj evropianë për mosrespektimin e angazhimeve të tyre.
Zyrtarët turq thanë se derisa Ankaraja mbajti iu përmbajt paktit, BE-ja një gjë të tillë nuk e bëri, duke përfshirë mosdhënien e plotë të 6 miliardë eurove në ndihmë dhe tërheqja nga angazhimet e tyre politike.
Si pjesë e marrëveshjes, BE-ja premtoi përshpejtimin e procesit të pranimit të Turqisë, fillimin e negociatave për modernizimin e Unionit Doganor dhe sigurimin e udhëtimeve pa viza për shtetasit turq brenda zonës Schengen.
Turqia aktualisht strehon pothuajse 4 milionë refugjatë sirianë, duke e bërë atë vendin që strehon numrin më të madh të refugjatëve në botë.
Ankaraja deri më tani nga burimet e veta për refugjatët ka shpenzuar mbi 40 miliardë dollarë dhe zyrtarët theksojnë se BE-ja duhet të bëjë më shumë për të ndarë barrën në mënyrë të barabartë.