Hakan Ceyhan Aydoğan
10 shkurt 2017•Përditësim: 11 shkurt 2017
MOSKË (AA) – Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, njoftoi se me ndërmjetësimin e Rusisë, në Siri janë mbajtur takime mes përfaqësuesve të regjimit të Bashar al Asadit dhe kurdëve, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një intervistë për gazetën ruse Izvestija, Lavrov ka folur ne lidhje me lajmet në shtypin arab se me ndërmjetësimin e Rusisë, në bazën Himejmim, janë mbajtur takime mes përfaqësuesve të regjimit dhe kurdëve për federalizmin e shtetit.
Lavrov, duke u shprehur se Rusia bën përpjekje për gjetjen e një mirëkuptimi të përbashkët mes regjimit dhe kurdëve “me qëllim të ruajtjes së integritetit të Sirisë”, njoftoi se në muajt qershor-korrik janë realizuar 4 takime mes regjimit dhe kurdëve me ndërmjetësimin e Rusisë.
Ai tha se përfaqësuesit e regjimit të Asadit janë takuar me përfaqësuesit e strukturës politike-sociale kurde dhe, “në raste të nevojës”, në mënyrë direkte apo indirekte, edhe me grupin YPG i cili është degë e organizatës terroriste PKK/PYD.
Lavrov vuri në dukje se ka përparime pozitive në këto takime, dhe se ekziston mundësia për arritje të marrëveshjes mes palëve.
Nga ana tjetër, rritjen e prezencës ushtarake të NATO-s në afërsi të kufirit rus, Lavrov e quajti si “provokuese dhe të dëmshme për stabilitetin”, si dhe theksoi se janë në ndjekje të afërt të zhvillimeve politike ushtarake në Evropë, dhe se kanë marrë hapat e nevojshëm kundër rreziqeve të mundshme.