Mehmet Yılmaz
24 shkurt 2023•Përditësim: 24 shkurt 2023
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban tha se askush nuk do të mund ta fitojë luftën Rusi-Ukrainë dhe se për këtë arsye ka nevojë sa më parë për armëpushim dhe më pas për fillimin e bisedimeve të paqes, transmeton Anadolu.
Në një fjalim në radion shtetërore "Kossuth Radio" të Hungarisë, Orban tha se "Rusia nuk mund ta fitojë luftën, sepse Perëndimi ka mobilizuar aq shumë armë, energji dhe para për Ukrainën sa që është e pamundur të fitosh një konflikt të hapur ushtarak kundër një fuqie të tillë, por edhe e kundërta e kësaj është e drejtë sepse gabohen ata që mendojnë se mund të humbasë Rusia e cila është një fuqi bërthamore".
Kryeministri hungarez mbrojti idenë e tij se është e gabuar që Evropa nuk vendos kufi në ndihmat që jep për Ukrainën sepse ajo po tërhiqet në luftë çdo ditë e më shumë. Orban tha se në rend dite së shpejti mund të vijë propozimi për dërgimin e forcave paqeruajtëse në territoret e Ukrainës.
"Hungaria është anëtare e NATO-s dhe një aleancë e mbrojtjes së NATO-s", theksoi Orban. Ai shtoi se vendet anëtare të NATO-s mund të ndërmarrin ndërhyrje ushtarake jashtë NATO-s, por për këtë nuk mund të detyrohen anëtarët e tjerë që nuk dëshirojnë t'i bashkohen kësaj.
- Anëtarësimi i Suedisë dhe Finlandës në NATO
Pasi bëri të ditur se vet personalisht mbështet anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO, Orban tha se disa deputetë të partisë së tij Unioni i Qytetarëve Hungarezë (Fidesz) nuk duan të mbështesin dy vendet me arsyetimin se përhapin pretendime të pavërteta rreth Hungarisë.
"Nëse Suedia dhe Finlanda dëshirojnë që Hungaria të jetë e drejtë dhe të kontribuojë për anëtarësimin e tyre në NATO, atëherë edhe këto vende duhet të ndërmarrin të njëjtat hapa dhe nuk duhet të përhapin pretendime të pavërteta rreth Hungarisë", deklaroi Orban.
Ai vuri në dukje se lidhur me Suedinë edhe Türkiye ka shqetësime dhe se këto duhet të merren në konsideratë. "Shqetësimi i Türkiye-s është prania e organizatave terroriste në Suedi që veprojnë kundër Türkiye-s. Edhe ata janë aleatët tanë dhe ne duhet të dëgjojmë zërin e tyre", tha Orban.