Sibel Vezaj
18 Dhjetor 2017•Përditësim: 19 Dhjetor 2017
PRISHTINË (AA) - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, sonte në selinë e Bashkimit Evropian në Bruksel, është takuar me Përfaqësuesen e Lartë për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim nga Zyra e Kryeministrit thuhet se gjatë këtij takimi me Përfaqësuesen Lartë Mogherini, Haradinaj ka debatuar për proceset të cilat po kalon Kosova.
Me këtë rast kryeministri Haradinaj ka thënë se rruga e integrimit të Kosovës në BE është e pakthyeshme dhe se Kosova meriton një trajtim të barabartë.
“Kryeministri Haradinaj ishte i pari lider nga gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor që takohet me Mogherinin para darkës së përbashkët joformale. Kryeministri i Kosovës, Haradinaj, do të zhvillojë takime edhe me homologë të tij nga rajoni”, njoftohet nga Zyra e Kryeministrit.
Kujtojmë se Mogherini do të takohet edhe me kryeministrat e Shqipërisë, Maqedonisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës.