Ekip
05 Gusht 2021•Përditësim: 05 Gusht 2021
Policia spanjolle theksoi se ka arrestuar një nga të arratisurit më të kërkuar në Itali, kreun e grupit mafioz “Ndrangheta”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Derisa policia nuk e ka publikuar emrin, mediat spanjolle dhe italiane raportojnë se u arrestua 60-vjeçari Domenico Paviglianiti, i njohur si "shefi i shefave".
Hetimi policor që çoi në arrestimin e tij "ishte intensiv" dhe filloi në fillim të vitit. Ata kishin gjetur familjen e tij që jetonte në Barcelonë para se të transferoheshin në Madrid.
Pasi ishte në kryeqytetin spanjoll, ai u arrestua me ndihmën e autoriteteve italiane dhe u kap duke mbajtur dokumentacion të rremë portugez, gjashtë celularë dhe gati 6,000 euro (7,100 dollarë) para të gatshme.
Në vitin 2005, ai u dënua me 30 vjet pas grilave në Itali për krime të ndryshme, përfshirë vrasje. Policia spanjolle bëri të ditur se ai u lirua më vonë falë një apeli të paraqitur nga avokatët e tij në sistemin e drejtësisë spanjolle.
Që atëherë, ai ka udhëtuar me një makinë të blinduar dhe aktivitetet e tij kriminale kishin të bënin kryesisht me trafikimin e drogës dhe armëve.
Sipas hetuesve, ai mbetet, "një nga eksponentët më të mëdhenj të krimit në Kalabri".
Interpol thekson se grupi mafioz "Ndrangheta" nga rajoni jugor i Kalabrisë, është "një nga organizatat kriminale më të gjera dhe më të fuqishme në botë dhe e vetmja organizatë mafioze italiane e pranishme në çdo kontinent botëror".