Ata Ufuk Şeker
28 shtator 2023•Përditësim: 29 shtator 2023
Krerët e institucioneve të Bashkimit Evropian (BE) do të zhvillojnë një samit me presidentin e SHBA-së, Joe Biden në të cilin do të diskutohet për Ukrainën, Rusinë, ekonominë dhe teknologjinë, transmeton Anadolu.
Këshilli i Evropës njoftoi se më 20 tetor në Shtëpinë e Bardhë do të mbahet Samiti SHBA-BE me pjesëmarrjen e presidentit amerikan Biden, presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel dhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Në deklaratë thuhet se liderët do të vlerësojnë bashkëpunimin mes BE-së dhe SHBA-së, mbështetjen që do të jepet për Ukrainën dhe hapat që duhet të ndërmerren kundër Rusisë.
Do të diskutohen përpjekjet për të përshpejtuar ekonominë globale të energjisë së pastër dhe krijimin e zinxhirëve furnizues të sigurt dhe të qëndrueshëm, thuhet në deklaratën në të cilën tërhiqet vëmendja se midis BE-së dhe SHBA-së do të trajtohet edhe bashkëpunimi në teknologjinë kritike dhe ato të reja në zhvillim, përfshirë infrastrukturën dixhitale dhe inteligjencën artificiale.
Gjithashtu do të rishikohen hapat e përbashkët që do të ndërmerren për të rritur qëndrueshmërinë ekonomike dhe kundër sfidave. Samiti i mëparshëm BE-SHBA u mbajt në qershor 2021 në Bruksel dhe në takim u eliminuan mosmarrëveshjet tregtare mes BE-së dhe SHBA-së për subvencionet e Airbus-Boeing.
Palët në tetor 2021 gjetën zgjidhje lidhur me mosmarrëveshjen që vazhdonte prej 3 vitesh për taksat doganore të çelikut dhe aluminit ndërsa filluan të punojnë së bashku mbi një rregullore të re globale të qëndrueshme të çelikut.