Ekip
30 Gusht 2017•Përditësim: 30 Gusht 2017
SEUL (AA) - Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong-un ka bërë thirrje për teste të tjera të raketave balistike në Paqësor, njoftojnë mediat shtetërore të Phenianit të mërkurën, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ai personalisht mbikëqyri nisjen e raketës mbi Japoni herët në mëngjesin e së martës, duke nxitur Tokion që ta dënonte testin si "kërcënim të paparë".
Por, Kim u citua nga agjencia e lajmeve KCNA të ketë thënë se testi ishte vetëm "hapi i parë i operacionit ushtarak të Ushtrisë Popullore Koreane në Paqësor dhe parapërgatitje për të marrë ishullin Guam".
Testi i ri raketor demonstroi rritjen e besimit të Phenianit pavarësisht nga sanksionet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pasi raketa e saj Hwasong-12 përshkoi 2.700 kilometra, duke dërguar një mesazh se ata mund të dërgojnë predha afër ishullit Guam, siç kërcënuan më parë këtë muaj.
Në këtë ishull të Paqësorit ndodhet baza ushtarake e SHBA-së ku janë të vendosura disa nga pajisjet më të fuqishme ushtarake të Uashingtonit.
Këshilli i Sigurimit të OKB-së reagoi të martën duke miratuar një deklaratë dënimi dhe duke përshkruar provokimin e fundit të Koresë së Veriut si një kërcënim "të egër", pasi tashmë ka shtuar sanksionet pas testeve të raketave balistike ndër-kontinentale në korrik.
Presidenti i SHBA-së Donald Trump gjithashtu më parë ka thënë se "të gjitha opsionet janë në tryezë", ndërsa Seuli ka vazhduar të rrisë sigurinë e Koresë së Jugut pas bisedave telefonike midis shefit të Zyrës së Sigurisë Kombëtare Chung Eui-yong dhe homologut të tij amerikan H.R. McMaster.
Në një deklaratë nga zyra presidenciale në Seul konfirmohet se menjëherë pas testit të fundit të Veriut, ata diskutuan vendosjen e pajisjeve strategjike amerikane në gadishull.
Bisedimet do të vazhdojë të mërkurën në Pentagon në mes të Sekretarit amerikan të Mbrojtjes Jim Mattis dhe homologut të tij koreano-jugor Song Young-moo.
Zëdhënësi i Pentagonit Lt. Col. Christopher Logan nuk pranoi të komentonte drejtpërdrejt mbi vendosjen e mundshme të pajisjeve strategjike në Korenë e Jugut, por tha për AA se "SHBA është e gatshme për të mbrojtur veten dhe aleatët tanë dhe për të përdorur gamën e plotë të kapacitetve në dispozicion ndaj kërcënimit në rritje të Koresë së Veriut".