Bota

Kina rekomandon zgjerimin e grupit BRICS

Presidenti i Argjentinës, Alberto Fernandez tha se vendi i tij dëshiron t'i bashkohet grupit. Ndërkohë thuhet se kandidate e mundshme është edhe Indonezia nga rajoni Indo-Paqësor

Emre Aytekin  | 21.05.2022 - Përdıtësım : 22.05.2022
Kina rekomandon zgjerimin e grupit BRICS

Pekin

Kina ka bërë thirrje për zgjerimin me anëtarë të rinj të grupit BRICS të përbërë nga Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë pas takimit që u mbajt përmes internetit nga ministrat e Jashtëm të grupit të cilit Kina mban presidencën e radhës, u njoftua se propozimi i Pekinit është mbështetur nga vendet e tjera.

Teksa nuk është dhënë informacion se cilat vende mund të përfshihen në mesin e anëtarëve të rinj, në deklaratë lidhur me këtë çështje u nënvizua nevoja për përcaktimin e parimeve, standardeve dhe procedurave.

Grupi u formua në vitin 2009 nga Brazili, Rusia, India dhe Kina ndërsa Afrika e Jugut iu bashkua në vitin 2010 dhe që nga ajo kohë nuk janë pranuar anëtarë të rinj.

Presidenti i Argjentinës, Alberto Fernandez në fillim të këtij viti deklaroi se vendi i tij dëshiron t'i bashkohet grupit. Ndërkohë thuhet se se kandidate e mundshme është edhe Indonezia nga rajoni Indo-Paqësor.

Me synimin për të bashkuar "ekonomitë në zhvillim", grupi në kuadër të dialogut "BRICS PLUS" ka zhvilluar një takim të ndarë ku morën pjesë ministrat e Jashtëm dhe përfaqësues nga Kazakistani, Arabia Saudite, Argjentina, Egjipti, Indonezia, Nigeria, Senegali, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Tajlanda.

- Thirrje për "qëndrim të pavarur" në çështjen e Ukrainës

Takimi që u mbajt përmes internetit nën moderimin e Kinës, është takimi i parë i nivelit të lartë i mbajtur që nga fillimi i luftës Rusi-Ukrainë.

Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi në një deklaratë bëri thirrje për bisedime të paqes dhe kritikoi sanksionet ekonomike të vendeve perëndimore ndaj Rusisë dhe shitjen e armëve ndaj Ukrainës.

Wang vuri në dukje se Kina kundërshton përdorimin e bashkëpunimit ekonomik dhe financiar si armë dhe detyrimin e vendeve për t'u bërë palë në mosmarrëveshje. Ai u bëri thirrje vendeve të BRICS që të mbajnë një "qëndrim të pavarur dhe të drejtë" në çështjen e Ukrainës.

"Disa vende po përpiqen të krijojnë një sistem paralel në botë duke krijuar kopshtet e tyre të vogla dhe kjo situatë kufizon fushëveprimin dhe qasjen në burime të vendeve", tha Wang i cili shtoi se vendet e BRICS duhet të kundërshtojnë sanksionet e njëanshme dhe që kompetencat gjyqësore të përdoren përtej kufijve.

Nga vendet e BRICS, Kina, India dhe Afrika e Jugut abstenuan për rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që dënonte sulmet e Rusisë ndaj Ukrainës ndërsa Brazili e mbështeti këtë rezolutë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın