Kancelari gjerman: Interesat evropiane dhe ukrainase duhet të mbrohen në samitin e Alaskës
“Ne evropianët, po bëjmë gjithçka që kemi në dorë për ta orientuar këtë takim në drejtimin e duhur. Duam që presidenti Donald Trump të ketë sukses të premten në Anchorage”, tha Merz në një konferencë për media me presidentin Zelenskyy

Berlin
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka deklaruar se interesat evropiane dhe ukrainase duhet të mbrohen në samitin e ardhshëm mes presidentëve të SHBA-së dhe Rusisë në Alaskë, raporton Anadolu.
Duke folur në një konferencë të përbashkët për media në Berlin me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, pas pjesëmarrjes në një video-konferencë me presidentin amerikan, Donald Trump, Merz tha se në samitin e Alaskës të premten mund të merren vendime të rëndësishme.
“Ne evropianët, po bëjmë gjithçka që kemi në dorë për ta orientuar këtë takim në drejtimin e duhur. Duam që presidenti Donald Trump të ketë sukses të premten në Anchorage”, tha Merz, duke iu referuar samitit që do të mbahet në Alaska.
Ai theksoi se interesat themelore të sigurisë evropiane dhe ukrainase duhet të mbrohen në Alaskë.
“Ky ishte mesazhi që ne, si evropianë, ia përcollëm sot presidentit të SHBA-së Trump dhe mund të them se patëm një pajtim të fortë si në vlerësimin e situatës aktuale, ashtu edhe në objektivin e arritshëm për të premten e ardhshme”, u shpreh Merz.
Kancelari gjerman tha se drejtuesit evropianë tashmë kanë përcaktuar pritjet e tyre nga takimi fundjavën e kaluar dhe se gjatë ditëve të fundit kryediplomatët e tyre i kanë diskutuar këto pika në detaje me palën amerikane.
“Presidenti amerikan e di se kur SHBA-ka punon për paqe në Ukrainë, duke mbrojtur interesat evropiane dhe ukrainase, atëherë ai mund të mbështetet plotësisht tek ne”, tha Merz, duke paraqitur pesë pika kryesore që përfaqësojnë pritjet e tyre për bisedimet e ardhshme SHBA-Rusi.
“Ne kemi bërë të qartë se Ukraina duhet të jetë në tryezë sapo të ketë takime pasuese. Duam që negociatat të zhvillohen në rendin e duhur. Një armëpushim duhet të jetë pika fillestare. Më pas, elementet kryesore duhet të dakordësohen në një marrëveshje kornizë”, tha ai.
Së treti, theksoi Merz, “Ukraina është e gatshme të negociojë për çështje territoriale, por e ashtuquajtura vijë e kontaktit duhet të jetë pika fillestare” dhe “njohja ligjore e pushtimit rus në Ukrainë nuk është për diskutim”. Sipas tij, parimi që kufijtë nuk mund të ndryshohen me forcë duhet të vazhdojë të vlejë.
Së katërti, shtoi ai, “negociatat duhet të përfshijnë garanci të forta sigurie për Kievin”.
“Forcat e armatosura ukrainase duhet të jenë në gjendje të mbrojnë me efektivitet sovranitetin e vendit të tyre dhe gjithashtu të mund të mbështeten në ndihmën perëndimore afatgjatë”, tha Merz.
Kancelari gjerman theksoi se së pesti, “negociatat duhet të jenë pjesë e një strategjie të përbashkët transatlantike, pasi vetëm atëherë ka më shumë gjasa që të kenë sukses”.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.