Ahmet Gürhan Kartal
12 Mars 2019•Përditësim: 12 Mars 2019
Kryeministri i Irlandës, Leo Varadkar ka thënë se marrëveshja e arritur të hënën mbrëma nga Mbretëria e Bashkuar dhe zyrtarët e BE-së është "pozitive", raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur sot në një konferencë për media në Dublin, Varadkar tha se shpresonte që marrëveshja për Brexit të miratohej nga deputetët britanikë në votimin vendimtar.
Varadkar tha se marrëveshja "nuk e minon Backstop".
"Shpresoj dhe besoj se marrëveshja e tërheqjes tani do të miratohet nga Dhoma e Ulët", tha ai.
Kryeministri irlandez tha se dokumentet e botuara të hënën në mbrëmje ishin një "deklaratë e qartë nga të dyja palët".
Marrëveshja "nuk e rihap marrëveshjen e tërheqjes apo minon kufirin Backstop" por synon të shmangë kthimin e një kufiri "të vështirë" në ishullin e Irlandës, shtoi ai.
"Brexit 'ka qenë një re e errët mbi ne për shumë muaj', por vota pozitive në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar do të mund të rikthente besimin", tha ai.
"Marrëveshja e mëtejshme dha më shumë qartësi, siguri dhe garanci të kërkuara nga disa për të eliminuar dyshimet apo frikën, megjithatë joreale, se qëllimi ishte të vë në grackë Britaninë për një kohë të pacaktuar në Backstop", shtoi Varadkar.