Ekip
12 Mars 2019•Përditësim: 13 Mars 2019
Këshilltari i presidentit të Koresë së Jugut, Moon Chung-in, deklaroi se lansimi eventual i raketave nga ana e Koresë së Veriut do të ishte një katastrofë diplomatike për përpkekjet që kanë të bëjnë me programin bërthamor të Phenianit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Disa ueb faqe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) së fundmi kanë publikuar fotografi satelitore të cilat flasin se Koreja e Veriut sërish ka ndërtuar godina në poligonin për lansimin e raketave me rreze të gjata veprimi, të cilin e çmontoi vitin e kaluar.
Fotografitë satelitore u publikuan disa ditë pas përfundimit të samitit dy-ditor mes presidentit të SHBA-ve Donald Trump dhe liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un në Hanoi të Vietnamit, i cili përfundoi pa ndonjë marrëveshje.
Këshilltari i presidentit Moon Jae-in, Moon Chung-in, në një panel diskutimi të mbajtur sot të Seul, tha se lansimi i raketave nga Koreja e Veriut si një kartë kushtëzimi do të ishte një veprim jo i mençur.
Siç tha ai, SHBA-të dhe Koreja e Veriut duhet të qëndrojnë të përmbajtura në mënyrë që të mbajnë gjallë diplomacinë, pasi samiti në Hanoi dëshmoi se sa e mundimshme është arritja e denuklearizimit të Gadishullit Korean.