Ekip
24 Janar 2020•Përditësim: 27 Janar 2020
Mijëra irakianë sot u mblodhën në qendër të qytetit në Bagdad në një tubim kundër pranisë së trupave amerikane në vend, raporton Anadolu Agency (AA).
Protestuesit iu përgjigjën thirrjes së klerikut irakian Muqtada al-Sadr i cili bëri thirrje për një marsh milionësh për të kërkuar largimin e trupave amerikane nga Iraku.
Sipas korrespondentit të AA-së në terren, mijëra protestues filluan të mblidhen sot në orët e para të mëngjesit në rrethin Jadiriyah, në lindje të Bagdadit.
Protestuesit mbanin flamuj irakianë dhe brohorisnin parulla kundër trupave amerikane.
Forcat irakiane të sigurisë u vendosën në zonat përreth Zonës së Gjelbër të Bagdadit.
Ambasada e SHBA-ve po ashtu mori masa shtesë të sigurisë dhe parulla të varura duke i paralajmëruar që të mos afrohen në ambientet e tyre.
Në protestat e mëparshme në dhjetor, protestuesit arritën të vënë zjarr në dy portat e ambasadës amerikane.
Pas këtij incidenti, SHBA vrau komandantin e forcave elitare iraniane të Kudsit Qasim Soleimani në një sulm me dron.
Situata më pas u përshkallëzua pasi iranianët bombarduan një bazë ushtarake amerikane në Irak.
Parlamenti irakian më 5 janar votoi një mocion duke kërkuar largimin e trupave të huaja nga vendi.
Rreth 5.000 ushtarë amerikanë janë vendosur në baza të ndryshme ushtarake në të gjithë Irakun.