Bota

PLO reagon ndaj deklaratës së Trumpit për "Marrëveshjen e Shekullit"

Anëtari i komitetit ekzekutiv të PLO-së, Ahmed Majdalani, tha se "Nuk ka mbetur asgjë për t'u shpallur nga SHBA. Trump, po investon në propagandën zgjedhore që i sjell dobi mikut të tij Netanyahu"

Qais Omar Darwesh Omar, Said İbicioğlu  | 24.01.2020 - Përdıtësım : 26.01.2020
PLO reagon ndaj deklaratës së Trumpit për "Marrëveshjen e Shekullit"

Ramallah

Organizata për Çlirimin e Palestinës (PLO) reagoi ndaj qëllimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për të njoftuar detaje të "Marrëveshjes së Shekullit" para të martës, 28 janar, transmeton Andolu Agency (AA).

Anëtari i komitetit ekzekutiv të PLO-së, Ahmed Majdalani, në një deklaratë për gazetarin e AA-së tha se "Nuk ka mbetur asgjë për t'u shpallur nga SHBA. Trump, po investon në propagandën zgjedhore që i sjell dobi mikut të tij Netanyahu".

Majdalani tha se plani i "Marrëveshjes së Shekullit" nuk ka asnjë vlerë dhe se qëndrimi i Palestinës kundër SHBA-së nuk do të ndryshojë përsa kohë që SHBA-ja nuk ndryshon qëndrimin e saj në çështjen palestineze. "SHBA dëshiron një shtet hebre dhe ndarje fuqie në Bregun Perëndimor. Por ky plan nuk do të realizohet", shtoi ai.

Ndër të tjera, Majdalani bëri të ditur se për të luftuar kundër planit të SHBA-së, i cili ka për qëllim të eliminojë kauzën palestineze, "Është i nevojshëm uniteti duke i dhënë fund ndarjeve në Palestinë dhe mbajtjen e zgjedhjeve të Palestinës".

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar se do të bëjë të ditur planin për "Marrëveshjen e Shekullit" para vizitës që kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do të zhvillojë në Shtëpinë e Bardhë të martën.

"Marrëveshja e Shekullit"

Edhe pse ende nuk janë bërë të ditur detajet rreth planit për "Marrëveshjen e Shekullit" për të cilën pretendohet se e ka përgatitur presidenti amerikan Trump me qëllim për të "gjetur zgjidhje" në çështjen izraelito-palestineze, në mediat ndërkombëtare ka disa informacione lidhur me këtë.

Sipas lajmeve, marrëveshja parashikon pika në disfavor të palestinezëve, të tilla si që Kudsi t'i dorëzohet plotësisht Izraelit dhe një pjese e madhe e vendbanimeve ilegale hebreje të vazhdojnë praninë e tyre në Bregun Perëndimor.

Plani thuhet se nuk përmend të drejtën e kthimit të rreth gjashtë milionë refugjatëve palestinezë të cilët Izraeli i ka dëbuar nga territoret e tyre.

Planin të cilin presidenti i Palestinës Mahmud Abbas e ka cilësuar si "Shuplaka e Shekullit", përveç disa ndihmave ekonomike, thuhet se nuk përfshin asgjë në favor të popullit të Palestinës.

Detajet e planit në fjalë nuk janë ndarë ende me opinionin publik për shkak të krizës së koalicionit i cili vazhdon prej disa kohësh në Izrael.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.