Rahmi Gündüz
21 Shkurt 2017•Përditësim: 21 Shkurt 2017
PARIS (AA) - Në kuadër të përgatitjeve për 60-vjetorin e Traktatit të Romës, më 6 mars në pallatin historik të Versajës në afërsi të Parisit do të organizohet një samit, raporton Anadolu Agency (AA).
Presidenti i Francës, François Hollande, nga Spanja ku ndodhej për vizitë zyrtare, në konferencë për media tha se në këtë samit do të diskutohet për të ardhmen e Bashkimit Evropian në rast të largimit të Britanisë nga anëtarësia dhe në lidhje me reformat e planifikuara.
"Më 6 mars do t'i pres në Pallatin e Versajës liderët e Italisë, Spanjës dhe Gjermanisë për përgatitjet për përvjetorin e 60-të të Traktatit të Romës", u shpreh Hollande.
Duke theksuar se në këtë samit të gjithë së bashku do të shqyrtojnë rreth asaj se çfarë mund të bëhet për të ardhmen e BE-së, Hollande tha se "Këto shtete nuk do të japin vendim më vete në lidhje me atë se si duhet të jetë BE-ja. Ky nuk është konceptimi ynë, mirëpo këto katër shtete janë anëtarët më të rëndësishëm të BE-së dhe është e drejta jonë të shikojmë se çfarë mund të bëjmë se bashku me të tjerët."
Hollande po ashtu kritikoi edhe prirjet radikale dhe populiste që po rriten gjithnjë e më shumë në shtetet e BE-së. "Nacionalistët ekstremë kërcënojnë jo vetëm Evropën, por edhe interesat kombëtare të shteteve që i përfaqësojnë. Ata mbrojnë largimin nga BE-ja, ndërsa si rezultat i kësaj, tregtia do të jetë më e vogël dhe papunësia do të rritet, ndërkohë që liritë dhe zhvillimi do të përballen me probleme", vuri në pah Hollande.