Ayhan Şimşek
22 Tetor 2020•Përditësim: 22 Tetor 2020
Gjermania sot raportoi 11.287 raste të reja me koronavirus (COVID-19), një rekord i ri i rasteve ditore në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kjo është hera e parë që Gjermania regjistron më shumë se 10 mijë raste në një ditë të vetme që nga fillimi i pandemisë.
Sipas shifrave të publikuara nga Instituti Robert Koch, rastet e reja me COVID-19 u rritën me më shumë se 3.500 gjatë 24 orëve të fundit, nga 7.595 sa ishin të mërkurën.
Rekordi i mëparshëm njëditor ishte 7.830 raste, i cili u regjistrua të shtunën.
Autoritetet lokale shëndetësore raportuan 30 viktima të reja gjatë ditës së kaluar, duke e çuar numrin e viktimave nga shpërthimi në 9.905.
Të mërkurën, ministri i Shëndetësisë së Gjermanisë, Jens Spahn tha se kishte rezultuar pozitiv ndaj COVID-19 dhe u vendos në karantinë shtëpiake.
Fqinjët e Gjermanisë, Franca, Holanda, Zvicra, Austria, Polonia dhe Çekia, kanë raportuar gjithashtu rritje rekorde të rasteve në ditët e fundit, duke i shtyrë autoritetet të vendosin kufizime të reja për të ndaluar përhapjen e virusit.