Erbil Başay
01 Korrik 2020•Përditësim: 01 Korrik 2020
Gjermania ka marrë kryesimin e radhës së Këshillit të Bashkimit Evropian (BE) nga Kroacia, të cilën do ta kryesoj në 6 muajt e ardhshëm, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë kryesimit të Gjermanisë me sloganin "Rifuqizimi i Evropës së bashku" që do të vazhdojë deri më 31 dhjetor, theksi do të vendoset në luftimin e efekteve shëndetësore, ekonomike dhe sociale të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).
Në programin zyrtar të qeverisë gjermane, theksohet se do të punohet me gjithë fuqinë për daljen e Evropës nga kriza e COVID-19 në mënyrë të fuqishme. Në lidhje me të ardhmen e BE-së, në mesin e qëllimeve të kryesimit gjerman të Këshillit do të jenë çështjet si përcaktimi i buxhetit të BE-së gjatë periudhës 2021-2027, mbrojtja e klimës, dixhitalizimi, sundimi i ligjit, roli i Evropës në botë dhe negociatat e largimit të Britanisë nga BE.
Gjatë kryesimit gjerman gjithashtu pritet që të zhvillohen samite BE-Afrikë dhe BE-Kinë.
Kancelarja gjermane Angela Merkel, duke theksuar se pritjet gjatë kryesimit të vendit të saj janë të mëdha, tha se "Dëshirojmë që të t'i plotësojmë këto pritshmëri duke dalë mirë nga kriza dhe duke përgatitur Evropën në të ardhmen".
Kryesimi i Këshillit të BE-së
Kryesimi i Këshillit të BE-së me periudha gjashtë mujore është duke u marrë nga shtetet anëtare. Shteti që kryeson gjithashtu edhe mbledhjet e Këshillit i kryeson dhe siguron që çështjet prioritare të identifikohen për BE-në.
Pas Gjermanisë kryesimin do ta marrë Portugalia më 1 janar 2021.