Bota

Gjermania dënon sulmin izraelit ndaj gazetarëve në Rripin e Gazës

"Ne dënojmë vrasjen e gazetarëve. Që nga fillimi i luftës, më shumë se 200 gazetarë janë vrarë në sulmet e ushtrisë izraelite në Gaza", tha zëdhënësi i MPJ gjermane, Hinterseher

Erbil Başay  | 11.08.2025 - Përdıtësım : 11.08.2025
Gjermania dënon sulmin izraelit ndaj gazetarëve në Rripin e Gazës

Berlin

Gjermania dënon vrasjen e gazetarëve palestinezë nga Izraeli në Rripin e Gazës, përfshirë dy gazetarë të televizionit Al Jazeera, transmeton Anadolu.

Duke folur në konferencën për media në Berlin, Josef Hinterseher, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane iu përgjigj pyetjes lidhur me gazetarët e vrarë nga ushtria izraelite në Gaza.

"Para së gjithash, dua ta deklaroj këtë si një parim themelor: Ne dënojmë vrasjen e gazetarëve. Që nga fillimi i luftës, më shumë se 200 gazetarë janë vrarë në sulmet e ushtrisë izraelite në Gaza. Ky numër i lartë është i papranueshëm", tha ai.

Hinterseher theksoi se është e qartë për qeverinë gjermane se gazetarët, të cilët luajnë rol kritik në portretizimin e realitetit të luftës dhe konfliktit, duhet të mbrohen dhe se kjo mbrojtje po kërkohet në nivel ndërkombëtar.

Ai tha se qeveria gjermane nuk ka gjetjet e veta konkrete për këtë çështje, duke shtuar se Izraeli duhet të shpjegojë pse 5 gazetarë u vranë në sulmin ndaj një personi të vetëm dhe të japë justifikimin për revokimin e statusit të mbrojtur të gazetarëve.

Hinterseher tha se vrasja e gazetarëve shkel të drejtën ndërkombëtare humanitare. "Tani është radha e Izraelit të ofrojë një deklaratë sa më transparente dhe të kuptueshme të jetë e mundur", tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın