Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Republikës së Turqisë njoftoi se gjithsej 43 terroristë janë neutralizuar në rajonet e operacioneve antiterroriste “Burimi i Paqes” dhe “Mburoja e Eufratit” në veri të Sirisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë të ministrisë thuhet se terroristët janë neutralizuar pasi anëtarët e organizatës terroriste PKK/YPG dje vranë të paktën nëntë civilë në Al Bab të Sirisë.
Më tej thuhet se zjarri është hapur ndaj terroristëve të cilët më parë kishin qëlluar në bazat ushtarake në Al Bab, Dadat, Jibrin dhe Tall Malid dhe se janë neutralizuar të paktën 34 terroristë.
Sipas ministrisë, gjithashtu dje u neutralizuan nëntë terroristë të PKK/YPG-së që u përpoqën të kryenin sulm në zonën e operacionit antiterrorist "Burimi i Paqes".
"Gjithsej 43 terroristë janë neutralizuar në zonat e operacioneve 'Burimi i Paqes' dhe 'Mburoja e Eufratit'. Ne do të vazhdojmë të zhbëjmë planet e organizatës terroriste PKK/YPG për të prishur paqen dhe sigurinë në rajon", thuhet në deklaratë.
Të paktën nëntë civilë u vranë në sulmin e djeshëm me raketa nga terroristët e YPG/PKK-së në pjesën qendrore të qytetit Al Bab në veri të Sirisë.
Terroristët e YPG/PKK-së, kanë kryer dje një sulm në pjesën qendrore të Al Babit me raketa, duke goditur vendbanimin Waki, ku jetojnë shumë civilë, zonën e kryqëzimit kryesor, lagjen pranë spitalit “Al Bab” dhe rrugën ku ka dyqane të shumta.
Qyteti Al Bab u pastrua nga terroristët në shkurt 2017 në Operacionin "Mburoja e Eufratit" të kryer nga Turqia. Al Bab është një qytet që i përket provincës së Halepit në veri të Sirisë.
PKK është një organizatë separatiste në listën e grupeve terroriste në Turqi, Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë fushatës terroriste disa dekadëshe kundër Turqisë, terroristët e PKK-së kanë vrarë të paktën 40 mijë njerëz. YPG është dega e PKK-së që vepron në Sirinë veriore.
Forcat turke kanë kryer disa operacione të suksesshme antiterroriste në veri të Sirisë, përgjatë kufirit Siri-Turqi, gjatë gjashtë viteve të fundit, duke përfshirë "Mburoja e Eufratit" (2016), "Dega e Ullirit" (2018) dhe "Burimi i Paqes" (2019). Qëllimi i këtyre operacioneve ishte çlirimi i zonës kufitare nga organizatat terroriste, parandalimi i formimit të një korridori terrorist dhe krijimi i një zone të sigurt për civilët.