Bota

"Forcat irakiane vrasin protestuesit me predhat e gazit lotsjellës"

Nga Human Rights Watch thonë se forcat e sigurisë kanë vrarë të paktën 100 protestues që nga fillimi i protestave antiqeveritare më 25 tetor

Ekip   | 08.11.2019
"Forcat irakiane vrasin protestuesit me predhat e gazit lotsjellës"

Bagdad

Human Rights Watch (HRW) ka akuzuar forcat irakiane të sigurisë se kanë shtënë me predhat e gazit lotsjellës drejt në kokat e protestuesve që ka shkaktuar vdekjen e 16 prej tyre që nga 25 tetori, transmeton Anadolu Agency (AA).

"Forcat e sigurisë në disa raste kanë shtënë me predhat e gazit lotsjellës drejt protestuesve në Bagdad që nga vazhdimi i protestave më 25 tetor, duke vrarë të paktën 16 persona", thuhet në raportin e HRW.

Nga kjo organizatë gjithashtu thonë se forcat e sigurisë kanë vrarë të paktën 100 protestues që nga fillimi i protestave antiqeveritare më 25 tetor.

"Numri i lartë i viktimave përfshijnë njerëz që morën goditje të drejtpërdrejta në kokë nga predhat e gazit lotsjellës, në numra që më shumë sugjerojnë një model të frikshëm, se sa incidente të izoluara", tha Sarah Leah Whitson, drejtore e HRW për Lindjen e Mesme.

"Me numrin e viktimave tani në mbi 100, të gjithë partnerët globalë të Irakut duhet të jenë të qartë në dënimin e tyre", shtoi ajo.

Nga HRW gjithashtu thonë se forcat e sigurisë në masë të madhe po mbështeten në përdorimin e gazit lotsjellës në Bagdad bashkë me plumba të vërtetë.

"Që nga fillimi i protestave, zyrtarë të lartë qeveritarë ia kanë ndaluar stafit mjekësor që të shpërndajë informata për numrin e viktimave dhe të plagosurve me të gjitha burimet përpos Ministrisë së Shëndetësisë", thonë nga HRW.

"Autoritetet e Irakut nuk duhet të kalojnë pa u ndëshkuar për keqpërdorimin e gazit lotsjellës si një armë vdekjeprurëse në vend të përdorimit për shpërndarje të turmës", tha Whitson.

Revolta tek populli është rritur viteve të fundit në Irak, nga shkaku i papunësisë në rritje dhe korrupsionit të shfrenuar. Irakianët kanë qasje të kufizuar në shërbimet themelore, si në energjinë elektrike dhe ujin e pastër.

Sipas shifrave të Bankës Botërore, papunësia e të rinjve është rreth 25 për qind. Sipas disa organizatave të transparencës, Iraku renditet si vendi i 12-të më i korruptuar në botë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın