Bota

Pompeo kritikon Rusinë dhe Kinën në fjalimin në Berlin

Sekretari amerikan i shtetit u ka bërë thirrje shteteve evropiane që t'i bashkangjiten administratës së Trumpit në fushatën e saj kundër rivalëve të saj

Ayhan Şimşek  | 08.11.2019 - Përdıtësım : 11.11.2019
Pompeo kritikon Rusinë dhe Kinën në fjalimin në Berlin

Berlin

Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, u ka bërë thirrje shteteve evropiane që t'i bashkangjiten fushatës amerikane kundër rivalëve të saj, Rusisë, Kinës dhe Iranit, raporton Anadolu Agency (AA).

"Ata prej nesh që dëshirojnë të përhapin lirinë patjetër të përballen me ata që dëshirojnë të përhapin ideologjinë e tyre të egër", tha Pompeo gjatë fjalimit të tij në Fondacionin Korber në kryeqytetin e Gjermanisë.

Kryediplomati amerikan tha se 3 dekada pas rënies së Murit të Berlinit, liritë liberale dhe rendi ndërkombëtar sërish po sfidohen nga ngritja e regjimeve autoritare.

Në SHBA, Pompeo është akuzuar për përfshirje në skandalin aktual mbi presionin e Ukrainës për të mbuluar ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 dhe për të hetuar rivalët elektoral të Trumpit.

Në fjalimin e tij, Pompeo i bëri thirrje Gjermanisë dhe shteteve tjera evropiane që të ndërmarrin një qëndrim më të ashpër ndaj Rusisë, Kinës dhe Iranit, si dhe të zvogëlojnë varësinë e tyre energjetike, ekonomike dhe teknologjike nga këto vende.

"Ne i japim rëndësi që të sigurohemi që Gjermania të mos varet nga energjia ruse. Ne nuk duam që furnizimi me energji i Evropës të varet nga Vladimir Putini", tha ai, duke përsëritur kundërshtimin e Washingtonit për projektin e gazsjellësit Nord Stream 2.

Pompeo gjithashtu i kërkoi qeverisë gjermane të përjashtojë gjigantin kinez të telekomit Huawei nga ndërtimi i rrjetit kombëtar 5G.

"Shefi juaj i inteligjencës tha që Huaweit nuk mund t'i besohet plotësisht, sepse kjo i nënshtrohet fuqisë së partisë komuniste kineze", tha Pompeo.

Ai gjithashtu akuzoi Iranin për aktivitetet destabilizuese dhe fushatën e vrasjeve në Evropë, akuza që janë mohuar nga Teherani.

Pompeo u bëri thirrje shteteve perëndimore që të rrisin presionin ndaj Iranit për programin e tij bërthamor.

Sekretari amerikan i shtetit gjatë vizitës së tij është takuar me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe me ministren e mbrojtjes Annegret Kramp-Karrenbauer.

Ai të mërkurën arriti në Gjermani në një vizitë treditore për të marrë pjesë në ngjarjet që shënojnë fundin e Luftës së Ftohtë dhe në 30-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.