SHKUP (AA) - CÜNEYT DAVUT
Teologët nga Maqedonia thonë se Organizata Terroriste FETO i bën dëm umetit islam dhe përmes vlerave fetare e ka keqtrajtuar shoqërinë.
Imami i xhamisë së Dyqanxhikut në kryeqytetin e Maqedonisë, Shkup, Abdulkerim Ebibi, në deklaratën për gazetarin e AA-së, deklaroi se FETO në Shkup ka shkaktuar përçarje në popull duke e keqpërdorur fenë.
Duke rikujtuar se organizata ka ardhur në Maqedoni pas shpalljes së pavarësisë në vitet 90-të, Ebibi tha se “Në fjalët e tyre nuk mungonte feja dhe terminologjia fetare. Besuam se kishin qëllim të mirë.”
Ebibi rrëfeu se në atë kohë, edhe pse ishin ende studentë, organizonin takime me esnafët e Çarshisë së Shkupit. “Në këto takime i inkuadruam edhe ata. Me kalimin e kohës, pamë se u hodhën farat e parë të përçarjes nga ky xhemat”, shtoi Ebibi.
Si shembull për përçarjet që kishte futur FETO në mesin e popullit, Ebib rrëfeu një ngjarje me dajën e tij të ndjerë, Hafëz Idriz Efendiun.
“Me dajën tim të ndjerë morëm pjesë në një takim në një shtëpi ku qëndronin ata. Në atë takim dëgjuam një ligjëratë të Fetullah Gylenit. Ne u bëmë një me ta. Të paktën ne treguam sinqeritetin tonë dhe i përqafuam pranë vetes. Kishte kaluar një vit. Po vinim në Shkup për pushime verore. Ata kishin filluar të organizonin takime me esnafët e këtushëm. Meqenëse Shkupi është vend i vogël dhe secili e njeh njëri-tjetrin, esnafët në grupin e takimeve na ftuan në njërin nga takimet. Një ditë para mbrëmjes së takimit, erdhi një telefonatë nga një esnaf i Shkupit. Më thanë: ‘Hoxha ynë nuk dëshiron që ju të merrni pjesë në atë takim’”, u shpreh Ebibi.
Më tej, Ebibi tha se pjesëtarët e FETO-s kanë keqpërdorur fenë në aktivitetet që kanë zhvilluar këtu, duke shtuar se prej 22 vitesh organizata ka marrë nga populli i Shkupit zekat, sadaka, bamirësi, kurbane dhe lëkura të kurbanëve, por, edhe krahas kësaj, nuk ka ofruar asnjë shërbim për popullin.
Siç tha Ebibi, shpenzimet për medresetë në Maqedoni, Fakultetin e Shkencave Islame, imamët nëpër xhami dhe bashkësinë islame sigurohen sadakaja, bamirësia dhe zekati i popullit. “Këta (FETO) kërkuan sadakanë, bamirësinë dhe zekatin e popullit. Dhe e morën. Megjithatë, këta nuk i ofruan asnjë shërbim popullit në aspektin fetar, përkundrazi, ata shkaktuan përçarje.”
Vazhdojnë ta lexojnë Suren Fet’h (Çlirim, fitore)
Ebibi shtoi se kanë marrë informacione se madje edhe pas tentativës për grusht shteti më 15 korrik në Turqi, anëtarët e FETO-s natë e ditë i detyrojnë pjesëtarët e familjeve të veta ta lexojnë Suren Fet’h nga Kur’ani. “Domethënë, njerëzit në këtë strukturë dhe FETO ende presin diç. Ata ende shpresojnë se do të ndodhë diçka. E për këtë sërish po e instrumentalizojnë Kur’ani Kerimin”, tha ai.
Duke shtuar se kanë dëgjuar se pak para 15 korrikut ata kanë bërë leximin e Sures Fet’h, Ebibi theksoi: “FETO, duke e keqpërdorur Suren Fet’h, po i bën dëm umetit islam. Natyrisht, njerëzit që e lexojnë këtë nuk e dine. Gjyshet tona të moshuara, motrat tona, gjyshërit tanë, dajallarët tanë nuk e dine këtë, megjithatë, atyre vazhdimisht u thuhet ta lexojnë Suren Fet’h. Jam i sigurtë se disa persona këtu kishin informata rreth 15 korrikut. E dinin se do të ndodhë, sepse qysh më parë kishin filluar ta lexonin Suren Fet’h. Kishin lexuar këtë Sure në mënyrë që 15 korriku të kishte sukses dhe ende vazhdojnë me këtë, sepse ende presin diç.”
Gjithashtu, Ebibi theksoi se anëtarët e FETO-s i kanë sytë dhe zemrat e mbyllura dhe se nuk shohin askënd tjetër pos një individi. “Disa njerëz janë në kllapi aq të fuqishme, saqë, për shembull, e fyejnë presidentin Recep Tayyip kur shohin ndonjë fotografi të tij. Kjo nuk është gjë që e bën një musliman”, tha Ebibi.
“FETO ka keqtrajtuar shoqërinë përmes vlerave fetare”
Teologu nga Maqedonia Sulejman Baki, nga ana tjetër, theksoi se organizata ka përdorur për qëllime të ndryshme mbështetjen financiare që e ka siguruar nga populli. “E shohim se disa aktivitete që janë bërë duke u mbështetur në ndjenjat fetare nuk kanë qenë me të vërtetë të tilla. Për këtë arsye, mendoj se ky organizim duhet të pastrohet medoemos”, tha Baki.
Baki e cilësoi tentativën për grusht shteti më 15 korrik në Turqi si një thikë e cila u ngul në sinqeritetin dhe dashurinë e të gjitha shoqërive, muslimane dhe jomuslimane, që jetojnë në vendet me lidhje shpirtërore me Turqinë e të cilat i besojnë Turqisë, me qëllim për ta zbehur paqen e Turqisë dhe fuqinë e të qenët shtet i madh që e ka realizuar viteve të fundit. Ai shtoi se tentativa për grusht shteti në fakt ishte një lëvizje për pushtim.
Sipas tij, Turqia, e cila është vazhdimësi e shtetit Osman, ka ndihmuar secilin, posaçërisht në Ballkan, pa shikuar përkatësinë fetare apo racore, dhe se grusht i shtetit në fakt u tentua për ta penguar këtë. Baki u shpreh se gjatë mbrëmjes së 15 korrikut, shqetësim përjetuan edhe turqit, shqiptarët, maqedonasit dhe boshnjakët të cilët jetojnë në Maqedoni.
Baki tha se pohimet për një tentativë të dytë për grusht shteti i pikëllojnë ata thellësisht. “Nëse e shikojmë ngjarjen, mbase, në fakt, 15 korriku ishte ‘skena e fundit e filmit’”, shtoi Baki.
Ai më tej u shpreh se organizata shihet se nuk është e sinqertë në marrëdhëniet me shoqërinë muslimane në Maqedoni. “Me tentativën për grusht shteti më 15 korrik, ata u përpoqën ta pengojnë qëndrimin madhështor të Turqisë dhe shërbimet e saja të sinqerta dhe miqësore. Këtë u përpoqën ta kamuflojnë përmes shkollave, organeve të transmetimit, organizatave arsimore dhe fondacioneve. Megjithatë, maskat e tyre ranë dhe fytyrat e tyre të vërteta dolën në shesh”, tha Baki.
“Të kihet kujdes nga FETO”
Duke e shprehur nevojën që kujdes nga FETO të kenë edhe qeveritë, shtetet, institucionet dhe organizatat në Ballkan, në të cilin popuj të ndryshëm jetojnë së bashku, Baki tha se nuk duhet bërë kompromis me anëtarët e kësaj organizate, por duhet vepruar me mençuri dhe të qartësohet pozicionimi kundër kësaj strukture dyfytyrëshe.
Ai më tej theksoi se Turqia është një shtet që miqve të saj u siguron mbështetje pa kushte dhe pa përfitime. Për këtë arsye, siç tha ai, nuk është mirë të shpërfillen problemet të cilat i përjetoi Turqia gjatë kësaj periudhe dhe se çdokush duhet të pozicionohet në anën e Turqisë si komunitete mike.
Pasi theksoi se FETO ka vepruar duke përdorur vlerat fetare të shoqërisë, Baki u shpreh:
“Këta kanë vepruar mbi motive fetare. Duke tërhequr në radhët e tyre persona të caktuar nga shoqëria, veçanërisht persona me nivel të lartë ekonomik, rrjedhimisht duke e përjashtuar pjesën e ngelur të shoqërisë, ata bënë një ndarje të këtillë në shoqëri duke bërë në fakt një kategorizim. Zekatin dhe sadakanë e tyre dhe ndihmat e realizuara mbi ndjenja fetare dhe përkushtim fetar, ata i kanë përdorur në kanale të ndryshme dhe për këtë arsye në njëfarë kuptimi e shohim se në raste të ndryshme kanë bërë keqpërdorime. Mund të shohim se ndihmat që i kanë tubuar duke përfituar nga dashamirësia e njerëzve, zekati, sadakaja dhe bamirësia e shoqërisë, i kanë shfrytëzuar për qëllime të ndryshme.”
Baki tha se pas tentativës për grusht shteti më 15 korrik, dolën në pah mashtrimet që i ishin bërë shoqërisë nga kjo strukturë. “Shoqëria e ndjeu këtë dhe arriti ta kuptojë. Njerëzit me mendje të shëndoshë arritën të vetëdijësohen dhe e treguan qartë qëndrimin e tyre kundër FETO-s, duke vendosur një barrierë dhe duke i shkëputur lidhjet tregtare, politike, arsimore, me shoqatat, si dhe fondacionet”, vuri në pah Baki.
Duke theksuar se edhe Maqedonia duhet të jetë në anën e Turqisë në luftën kundër FETO-s, Baki tha se “Besoj që Maqedonia nuk do të hesht në këtë luftë të Turqisë dhe popullit turk në këto kohëra të vështira dhe se do të ndërmarrë hapat e duhur.”
news_share_descriptionsubscription_contact
