Sibel Uğurlu
12 Tetor 2017•Përditësim: 12 Tetor 2017
ERBIL (AA) – Qeveria Rajonale Kurde (KRG) tha se zbatimi i rezultateve të referendumit të pavarësisë të muajit të kaluar varet nga “dialogu konstruktiv dhe përgjegjës” me Bagdadin, raporton Anadolu Agency (AA).
Referendumin kontestues të KRG-së, që u mbajt muajin e kaluar për pavarësinë e rajonit kurd në veri të Irakut, Iraku dhe fqinjët e tij e denoncuan atë si të paligjshëm.
Përmes një deklarate të publikuar në faqen zyrtare të KRG-së, administrata kurde bëri të ditur se Erbil është gati për dialog me Bagdadin “pa asnjë parakusht”.
Në deklaratë po ashtu theksohet se sanksionet e imponuara nga qeveria qendrore irakiane në hakmarrje ndaj referendumit janë “antikushtetuese” dhe se nga tensionet e përkeqësuara nuk do të përfitonte askush.
Më 25 shtator, irakianët në zonat e kontrolluara nga KRG-ja dhe në zonat e kontestuara midis Bagdadit dhe Erbilit (kryeqyteti i KRG-së) votuan nëse do të deklaronin ose jo pavarësinë nga qeveria qendrore i Irakut. Sipas rezultateve të votimit të shpallur nga KRG-ja, pothuajse 93 për qind e atyre që votuan ishin në favor të pavarësisë.
Referendumi kontestues u përball me kundërshtime të forta nga shumica e aktorëve rajonalë dhe ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-të, Turqinë dhe Iranin, të cilët paralajmëruan se votimi do të shpërqendronte luftën e Irakut kundër terrorizmit dhe do të destabilizonte më tej rajonin.
Së bashku me një sërë masash hakmarrëse, Këshilli i Ministrave të Irakut të hënën e kaluar tha se procedurat ligjore ishin në proces kundër të gjithë punonjësve të KRG-së të përfshirë në kryerjen e votimit rajonal.
Pas referendumit, Bagdadi gjithashtu vendosi për të ndaluar të gjitha fluturimet ndërkombëtare në zonat e kontrolluara nga KRG-ja dhe mbylli të gjitha misionet diplomatike të huaja në rajonin kurd.