Ahmet Gürhan Kartal
24 Qershor 2017•Përditësim: 24 Qershor 2017
BRUKSEL (AA) - Ka përfunduar të premten samiti dyditor i Këshillit Evropian në të cilin krerët e BE-së ranë dakord për një sërë çështjesh të ndryshme, përfshirë sigurinë, migrimin, Brexitin, ndryshimet klimatike dhe ekonominë.
Zgjerimi i sanksioneve kundër Rusisë, angazhimi për marrëveshjen e Ndryshimeve Klimatike të Parisit dhe zhvendosja pas Brexit të agjencive të cilat selinë e kanë në Londër ishin ndër çështjet e rëndësishme të cilat u miratuan nga Këshilli, tha presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, në konferencën e mbrëmshme për mediat bashkë me presidentin e Komisionit Evropian, Jean- Claude Juncker dhe kryesuesin me BE-në, kryeministri i Maltës, Joseph Muscat.
Dukë nënvizuar se Brexit nuk ka qenë temë kryesore e takimit, Tusk tha se “oferta e Mbretërisë së Bashkuar ka qenë nën pritshmëritë tona dhe si e tillë rrezikon të përkeqësojë situatën për shtetasit e saj."
Kryeministrja britanike, Theresa May, shpalosi më herët planet e qeverisë së saj për të dhënë një status të veçantë për qytetarët e BE-së që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar për pesë vjet , për të shtuar se detajet e hollësishme do të shpalosen të hënën.
Tusk tha nga ana e tij se presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi ka konfirmuar se gjërat kanë lëvizur pozitivisht.
"Bashkërisht u pajtuam se Evropa do të duhet ti mbrojë qytetarët e saj nga praktikat e padrejta të tregtisë, duke prezantuar më shumë reciprocitet”, tha ai.
Duke folur për krizën e vazhdueshme të migracionit, Tusk tha se “Këshilli Evropian vendosi që epilogu i vetëm që ka rëndësi për ne, është dhënia fund e kësaj situate tragjike."
Në një konferencë të ndarë për mediat, kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emanuel Macron, apeluan te vendet anëtare të bëjnë më shumë në këtë drejtim, sepse siç tha Macron, kriza me emigrantët nuk është e shteteve ndaras, por është një krizë e përbashkët.
Në një komunikatë përfundimtare të publikuar në fund të samitit theksohet "Këshilli Evropian mbetet i angazhuar ndaj qasjes gjithëpërfshirëse të Bashkimit Evropian për migracionin, kontrollin efektiv të kufijve të jashtëm për të frenuar dhe parandaluar flukset ilegale dhe reformën e Sistemit të Përbashkët Evropian të Azilit, si dhe zbatimin jodiskriminues të deklaratës BE-Turqi në të gjitha aspektet e saj dhe ndaj të gjitha shteteve anëtare”.
Ndërkohë, në një tjetër konferencë për mediat, kryeministrja britanike, Theresa May tha se shtetasit e BE-së që jetojnë në vendin e saj mund të qëndrojnë aty edhe pas Brexitit.
Ajo foli edhe për planet që Evropa të përforcon kapacitetet bashkëpunuese dhe bëri thirrje që BE dhe NATO të bashkëpunojnë akoma më shumë. "Mbretëria e Bashkuar do të jetë gjithmonë e angazhuar për mbrojtjen e Evropës", tha ajo.