Bota

Bota kritikon arrestimin e stafit të AA-së nga ana e Egjiptit

OKB, BE dhe organizatat kryesore të gazetarëve kanë reaguar ndaj arrestimeve arbitrare nga autoritetet egjiptiane në bastisjen e së martës në Zyrën e Anadolu Agency në Kajro

Ali Murat Alhas,Sena Güler   | 17.01.2020
Bota kritikon arrestimin e stafit të AA-së nga ana e Egjiptit

Ankara

Komuniteti ndërkombëtar dhe organizatat kryesore të gazetarëve në mbarë botën kanë reaguar ndaj arrestimit të të punësuarve të Anadolu Agency (AA) nga autoritetet e Egjiptit pas bastisjes së Zyrës së AA-së në Kajro.

Zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara (OKB), Stephane Dujarric, tha se kolegët e tij janë në kontakt me zyrtarët egjiptianë "në nivele të ndryshme" dhe u kërkojnë atyre që t'u përmbahen traktateve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

"Ne jemi të vetëdijshëm për raportimet që forcat egjiptiane të sigurisë bastisën Zyret e AA-së në Kajro dhe raportohet se arrestuan 4 gazetarë, përfshirë një shtetas turk. Ata janë ndaluar në një lokacion të panjohur", u tha Dujarric përfaqësuesve të mediave në New York.

Shtetasi turk Hilmi Balcı sot në mëngjes është kthyer në Stamboll. Vendndodhja e tre gazetarëve të tjerë mbetet e panjohur.

Si nënshkrues i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut dhe Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, Egjipti është i detyruar të mbrojë interesat e gazetarëve që thjesht janë duke bërë punën e tyre, tha Dujarric.

"Liria e shprehjes luan një rol kryesor në funksionimin efektiv të një sistemi politik demokratik", tha zëdhënësi i OKB-së.

“Ne bëjmë thirrje për lirimin e kujtdo që është i arrestuar. Ne do të dëshironim t'i shohim ata të liruar ose të paktën si minimum të kenë informata për vendndodhjen e tyre", shtoi ai.

BE dhe Gjermania shprehin shqetësim

Bashkimi Evropian (BE) gjithashtu ka theksuar se gazetarët duhet të jenë në gjendje të punojnë pa pengesa.

"BE rithekson rëndësinë që i kushton lirisë së mediave dhe llojllojshmërisë së mjedisit mediatik, me gazetarë profesionistë të aftë të punojnë pa pengesa, në të gjithë botën", tha për AA Peter Stano, zëdhënësi i Komisionit të BE-së.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit të SHBA-ve tha se vendi është i vetëdijshëm për raportimet në lidhje me arrestimin e të punësuarve të AA-së.

"Nëse është e vërtetë, ne i bëjmë thirrje qeverisë egjiptiane të lirojë gazetarët e ndaluar dhe të lejojë mediat e lira dhe të hapura në Egjipt", tha zëdhënësi.

Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë gjithashtu shprehu kritikat e saj.

"Zyra e Jashtme gjermane është e shqetësuar për bastisjen e agjencisë turke të lajmeve Anadolu në Kajro dhe arrestimin e 4 punonjësve", ka thënë për AA, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme.

“Shpesh kemi shprehur shqetësimet tona për situatën e lirisë së shtypit në Egjipt. Ne besojmë se shtypi i lirë dhe i larmishëm është jashtëzakonisht i rëndësishëm për një sistem shoqëror që funksionon. Ai mundëson dialog dhe shkëmbime dhe kështu kontribuon në stabilitetin dhe zhvillimin", tha gjithashtu zëdhënësi.

Përpos këtyre shteteve dhe organizatave ndërkombëtare, organizata të ndryshme të gazetarëve në të gjithë botën ishin të shpejtë në reagimet ndaj incidentit të së martës që shkeli lirinë e fjalës.

Të mërkurën, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të 4 punonjësve të AA-së të arrestuar në Egjipt.

Nga organizata thonë se kanë kontaktuar Prokurorinë egjiptiane dhe Shërbimin e Informacionit Shtetëror për më shumë informacione rreth operacionit policor, por janë në pritje të përgjigjes.

Institutit Ndërkombëtar të Shtypit (IPI) me seli në Vjenë gjithashtu "fuqishëm" ka dënuar "sulmin e ashpër" ndaj stafit të AA-së.

Përmes një kumtese, drejtori i njësisë ligjore të IPI-t, Ravi R. Prasad, tha: "Autoritetet e Kajros të lirojnë menjëherë 4 gazetarët dhe të njoftojë arsyen e arrestimit të tyre".

Shoqata e Medias, një grup i medias me seli në Stamboll, ishte në mesin e atyre që dënuan arrestimin e punonjësve të AA-së.

"Ne e dënojmë qeverinë egjiptiane dhe kërkojmë që punonjësit e AA-së të lirohen menjëherë", thonë nga shoqata në një deklaratë.

Në deklaratë gjithashtu i bëhet thirrje qeverisë egjiptiane që "të heqë dorë nga qëndrimi i saj armiqësor dhe arbitrar kundër gazetarëve".

Dje, Lidhja e Agjencive të Lajmeve në Ballkan - Evropën Juglindore (ABNA-SE) kërkoi nga Egjipti të lirojë 4 punonjësit e AA-së.

"ABNA-SE bën thirrje për lirimin e menjëhershëm të gazetarëve, të cilët mbahen pa asnjë informacion nga autoritetet egjiptiane", tha organizata në një deklaratë.

ABNA-SE e cilësoi bastisjen si "thellësisht shqetësuese".

Bota dëshiron të dijë

Aleanca Evropiane e Agjencive të Lajmeve (EANA) i ka bërë thirrje Egjiptit të lirojë punonjësit.

“Bordi i EANA-s konsideron se autoritetet egjiptiane duhet të lirojnë menjëherë gazetarët e arrestuar dhe të informojnë publikun ndërkombëtar se cilat ishin bazat ligjore për arrestimin e tyre”, tha aleanca në një deklaratë, duke shtuar se “EANA qëndron me anëtaren e saj, Anadolu Agency dhe gazetarët e saj”.

Gjithashtu, nga Aleanca e Agjencive Mesdhetare të Lajmeve (AMAN) thonë: "AMAN dënon veprime të tilla kundër shtypit dhe në këtë rast kundër anëtarëve të stafit të Anadolu në Kajro".

"AMAN qëndron pranë agjencisë së saj anëtare dhe kërkon nga autoritetet egjiptiane lirimin e menjëhershëm të stafit të Anadolu në Kajro, duke sqaruar arsyet e kësaj bastisjeje", thonë nga aleanca.

Fondacioni për të Drejtat e Njeriut "Skyline International" me seli në Stockholm të Suedisë gjithashtu ka dënuar bastisjen e Zyrës së AA-së në Kajro.

Moath Hamid, kreu i organizatës joqeveritare për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, në një kumtesë thotë se arrestimi i gazetarëve tregon se autoritetet egjiptiane vazhdojnë të shënjestrojnë punën e gazetarëve dhe lirinë e mediave.

Organizatat e gazetarëve në Indonezi, përfshirë Aleancën e Gazetarëve të Pavarur (AJI) dhe Shoqatën e Gazetarëve të Indonezisë (PWI), poashtu fuqishëm kanë dënuar arrestimin.

Përpjekje për të ngulfatur lirinë e medias

Unioni Federal i Gazetarëve në Pakistan (PFUJ) e quajti ndalimin e gazetarëve një përpjekje për të ngulfatur lirinë e shtypit.

Një grup i mbrojtjes së të drejtave të mediave nga Afrika e Jugut, Rrjeti i Rishikimit të Mediave (MRN), dënoi veprimin dhe shprehu "zemërimin që të arrestuarit pa ndonjë bazë të vlefshme ligjore janë dërguar në vende të panjohura".

Agjencia shtetërore e lajmeve e Azerbajxhanit AzerTac ka dënuar bastisjen dhe ka shprehur solidaritet me "agjencinë e lajmeve të vendit miqësor dhe vëllazëror të Turqisë".

Ballkani iu bashkangjit dënimit të bastisjes në Egjipt, me të tillë që e kanë përshkruar incidentin si një përpjekje për të ngulfatur lirinë e mediave.

Agjencia shtetërore serbe e lajmeve Tanjug si dhe B92, Danas dhe shumë media private kanë dënuar veprimin e Egjiptit.

Çështja është mbuluar edhe nga agjencia e re shtetërore e Bosnjë e Hercegovinës, Fena, si dhe në një nga gazetat më të njohura të vendit, Oslobodjenje.

Televizioni SHENJA nga Maqedonia e Veriut si dhe Top Channel nga Shqipëria, raportuan për bastisjen. Gjithashtu, për këtë raportuan edhe gazetat Blic dhe Nova Makedonija.

Për ngjarjen raportuan edhe rrjetet rajonale N1 TV dhe Aj Balkans.

"E prapranueshme"

"Duke arrestuar 4 anëtarë të AA-së, Egjipti po i përdor ata si peng dhe si armë në një mosmarrëveshje diplomatike. Kjo është e papranueshme", thanë nga organizata "Reporterët pa Kufij" në Twitter.

Shoqata e Gazetarëve në Qipron Turke gjithashtu ka dënuar Egjiptin duke thënë se bastisja dhe arrestimet ishin sulme ndaj të drejtave themelore të njeriut.

Një grup global gazetarësh, Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ), tha në një deklaratë: "Ne nxisim fuqimisht autoritetet egjiptiane që të lirojnë të gjithë punonjësit e mediave të burgosur dhe të respektojnë lirinë e shtypit. Asnjë gazetar nuk duhet të ketë frikë nga ndëshkimi për raportimin e lajmit".

Organizata globale e gazetarëve, Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ), në një deklaratë thotë: "Ne nxisim fuqimisht autoritetet egjiptiane që të lirojnë të gjithë punonjësit e mediave të burgosur dhe të respektojnë lirinë e mediave. Asnjë gazetar nuk duhet të ketë frikë nga ndëshkimi për raportimin e lajmeve".

Unioni i Gazetarëve në Sudan gjithashtu ka dënuar sulmin e policisë egjiptiane duke thënë se kjo paraqet shkelje për lirinë e mediave.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın