Bota

Bjellorusi, arrestohen mbi 500 persona gjatë protestave

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Olga Chemodanova, tha se protesta "të paligjshme" u mbajtën dje në 19 vende të ndryshme mbarë Bjellorusinë

Büşra Nur Bilgiç Çakmak  | 26.10.2020 - Përdıtësım : 27.10.2020
Bjellorusi, arrestohen mbi 500 persona gjatë protestave

Minsk

Ministria e Punëve të Brendshme të Bjellorusisë njoftoi se qindra persona që protestojnë kundër presidentit Alexander Lukashenko, i cili fitoi një mandat të gjashtë në zgjedhjet e diskutueshme të 9 gushtit, janë arrestuar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësja Olga Chemodanova në një deklaratë tha se protesta "të paligjshme" u mbajtën dje në 19 vende të ndryshme në mbarë Bjellorusinë, ndërsa policia mori masat e nevojshme për të mbajtur rendin dhe ligjin.

Ajo tha se demonstruesit bllokuan trafikun në kryeqytetin Minsk, lënduan dy oficerë policie dhe gjuajtën me gurë drejt ndërtesës së departamentit të policisë në Minsk, duke shtuar se "agresorët" janë arrestuar.

"Gjithsej 523 persona që shkelën ligjin, 160 prej të cilëve në Minsk, u arrestuan gjatë protestave", shtoi ajo.

Protestat masive po vazhdojnë që kur kandidatja kryesore e opozitës Svetlana Tikhanovskaya, e cila tani jeton në Lituani, kundërshtoi rezultatet, duke pretenduar se zgjedhjet ishin të manipuluara.

Data 25 tetor ishte dita e fundit e ultimatumit që opozita kishte vendosur për Lukashenkon që të hiqte dorë ose të përballej me një grevë të përgjithshme.

SHBA-ja dhe BE-ja kanë refuzuar zgjedhjet presidenciale dhe kanë vendosur sanksione kundër zyrtarëve të lartë bjellorusë për rolin e tyre në manipulimin e zgjedhjeve dhe për shtypjen e protestave.

Presidenti Alexander Lukashenko, i cili është në pushtet që nga viti 1994, mbështetet në Rusinë si aleat për mbështetje politike dhe ekonomike.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.