Ömer Tuğrul Çam
04 Shtator 2020•Përditësim: 05 Shtator 2020
Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano tha se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Marrëdhënie të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Josep Borrell ka zhvilluar bisedime për çështjen e Mesdheut Lindor dhe se dialogu është rruga e vetme për uljen e tensioneve, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një konferencë për media, Stano iu përgjigj pyetjeve lidhur me situatën në Mesdheun Lindor ku ai njoftoi se qëndrimi i BE-së pro dialogut nuk ka ndryshuar dhe se për uljen e tensioneve në rajon duhet të fillojnë bisedimet.
Ai tha se në ditët e fundit, Borrell ka zhvilluar kontakte dhe ka përcjellë mesazhe. "Në vend të hapave të njëanshëm, kërcënimeve, deklaratave më në fund kemi bisedime, një dialog që ka filluar për uljen e tensioneve aktuale në Mesdheun Lindor", tha Stano.
Stano ka rikujtuar se BE-ja shumë herë ka deklaruar se janë në solidarizim me Greqinë dhe Qipron greke dhe se qëndrimi i Unionit për zgjidhjen e problemeve është i qartë.
"Rruga e vetme për të përparuar është dialogu dhe bisedimet. Vetëm këto mund të sjellin zgjidhje dhe mund të ulin tensionet. Kjo është ajo që ne duam të shohim", theksoi Stano.