Ekip
12 Shtator 2022•Përditësim: 12 Shtator 2022
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE) për marrëdhëniet me jashtë, Peter Stano, ka deklaruar se blloku evropian nuk i njeh rezultatet e zgjedhjeve në territorin e aneksuar të Krimesë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në Rusi dhe në Gadishullin e Krimesë nga 9 deri më 11 shtator u mbajtën zgjedhjet rajonale dhe ato lokale.
“BE-ja nuk njeh mbajtjen e këtyre zgjedhjeve dhe rezultatin e tyre në gadishullin e Krimesë”, tha Stano.
Ai përsëriti se blloku aneksimin e Krimesë nga Rusia e konsideron një shkelje të ligjit ndërkombëtar.
“Prandaj, askush i zgjedhur në gadishullin e Krimesë të aneksuar ilegalisht gjatë këtyre zgjedhjeve, duke pretenduar se përfaqëson popullsinë e Krimesë dhe Sevastopolit, nuk ka legjitimitet dhe nuk do të njihet si përfaqësues i atyre territoreve”, theksoi ai.
Që nga viti 2014, liderët e BE-së në mënyrë të përsëritur kanë përjashtuar mundësinë e miratimit të aneksimit të Krimesë dhe kanë premtuar mbështetje për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës.
Përveç sanksioneve ndaj Moskës për luftën e saj kundër Ukrainës në muajin shkurt, BE-ja ka aplikuar regjime të ndryshme sanksionesh në përgjigje të aneksimit të Krimesë dhe Sevastopolit.