Rabia İclal Turan
02 Tetor 2020•Përditësim: 03 Tetor 2020
Bashkimi Evropian (BE) inkurajon thellimin e bisedimeve dypalëshe mes Turqisë dhe Greqisë, tha sot presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, pas takimit dyditor me liderët e BE-së, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në një konferencë të përbashkët për media me presidenten e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, Michel tha: "Ne duam t'i japim një mundësi dialogut politik për të ecur drejt parashikueshmërisë më të madhe dhe stabilitetit në interesin tonë të përbashkët".
Michel shtoi se BE-ja dëshiron të angazhohet në një agjendë më pozitive me Turqinë, me kusht që Turqia të angazhohet gjithashtu në një drejtim më pozitiv me BE-në.
Liderët e BE-së u mblodhën dje në Bruksel në një samit dyditor për të diskutuar situatën aktuale në Mesdheun Lindor dhe marrëdhëniet BE-Turqi, si dhe sanksionet ndaj Bjellorusisë.
Mosmarrëveshjet në Mesdheun Lindor
Tensionet kohët e fundit janë përshkallëzuar për çështjen e kërkimeve të energjisë në Mesdheun Lindor.
Greqia ka kontestuar aktivitetet aktuale kërkuese të energjisë të Turqisë në Mesdheun Lindor, duke u përpjekur të bllokojë territorin detar turk bazuar në ishuj të vegjël pranë bregdetit turk.
Turqia, vendi me vijën më të gjatë bregdetare në Mesdhe, ka dërguar anije për të eksploruar për energji në shelfin e saj kontinental, duke përmendur se Ankaraja dhe Republika Turke e Qipros Veriore (TRNC) kanë të drejta në rajon.
Për të ulur tensionet, Turqia ka bërë thirrje për dialog për të siguruar ndarjen e drejtë të burimeve të rajonit.