Bota

BE kërkon të ketë prani minimale në Afganistan

BE-ja vazhdon angazhimin e saj për sigurimin e paqes dhe stabilitetit në Afganistan dhe se dëshiron të mbështesë popullin afgan

Ömer Tuğrul Çam  | 21.09.2021 - Përdıtësım : 22.09.2021
BE kërkon të ketë prani minimale në Afganistan

Bruksel

Këshilli i Bashkimit Evropian kërkon që të ketë prani minimale në Afganistanin ku talebanët kanë marrë qeverinë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në rezolutën që miratoi sot Këshilli i BE-së lidhur me Afganistanin thuhet se BE-ja vazhdon angazhimin e saj për sigurimin e paqes dhe stabilitetit në Afganistan dhe se dëshiron të mbështesë popullin afgan.

Po ashtu në rezolutën ku përcaktohet mënyra e veprimit të BE-së në të ardhmen e afërt, thuhet se Unioni ka për qëllim të ketë një prani minimale në lidhje me situatën e sigurisë në kryeqytetin e vendit, Kabul.

Kjo prani do të lehtësojë dërgimin e ndihmave humanitare, vëzhgimin e situatës humanitare si dhe do të sigurojë koordinimin për dalje në mënyrë të sigurt të afganëve nga Afganistani dhe të huajve që dëshirojnë të largohen nga vendi.

"Marrëdhëniet operacionale" të BE-së me Afganistanin do të përcaktohen sipas politikave dhe veprimeve të qeverisë së përkohshme të emëruar nga talebanët, theksohet në deklaratën në të cilën shtohet se nuk do të njihet legjitimiteti i talebanëve.

Më tej thuhet se Këshilli i BE-së marrëdhëniet me talebanët do t'i formojë mbi bazë të 5 kushteve në të cilat do të merren parasysh kryesisht të drejtat e grave dhe vajzave.

Pesë kushtet mbi të cilët ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së ranë dakord në një takim që mbajtën në fillim të shtatorit, janë që talebanët të mos eksportojnë terrorizëm në vendet e tjera, të respektojnë të drejtat e njeriut, mbisundimin e ligjit dhe lirinë e medias, të lehtësojnë dorëzimin e ndihmave humanitare, të lejojë largimin nga vendi të shtetasve të huaj dhe të afganëve që duan të largohen si dhe formimin e një qeverie tranzicioni gjithëpërfshirëse dhe përfaqësuese përmes negociatave mes forcave politike në Afganistan.

Në rezolutë gjithashtu vihet theksi mbi bashkëpunimin për Afganistanin me komunitetin ndërkombëtar kryesisht me OKB-në dhe se BE-ja do të formojë "platformë rajonale të bashkëpunimit politik" me fqinjët e drejtpërdrejt të Afganistanit dhe se kjo ka një përparësi të lartë.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.