Hasan Esen
08 Dhjetor 2016•Përditësim: 09 Dhjetor 2016
BRUKSEL (AA) - Mos mbajtja e premtimeve nga Bashkimi Evropian (BE) në lidhje me refugjatët, doli në pah përmes raportit të Komisionit të këtij unioni, raporton Anadolu Agency (AA).
Komisioni i BE-së në raportin e katërt të publikuar në lidhje me marrëveshjen BE-Turqi për refugjatët, thekson se në saje të kësaj marrëveshjeje kalimet e refugjatëve që para marrëveshjes ishin rreth 6 mijë në ditë, u ulën në 81 refugjatë.
Sipas marrëveshjes në periudhën e parë duhet të shpërndaheshin rreth 18 mijë refugjatë në vendet e BE-së, ndërsa sipas nevojave duke shtuar edhe 54 mijë të tjerë gjithsej duhet të shpërndaheshin 72 mijë refugjatë nga Turqia. Marrëveshja parashikonte që këto shpërndarje të fillonin menjëherë pas rënies së kalimeve ilegale.
BE-ja mori vetëm 3.8 për qind nga premtimi i dhënë
Por raporti i fundit nxori në pah se BE-ja ka marrë nga Turqia vetëm 2.761 refugjatë në vend të 72 mijë që duhet të merrte. Ndërkohë drejt Turqisë janë kthyer 748 refugjatë. Edhe pse kalimet ilegale kanë pësuar një rënie serioze dhe të qëndrueshme vendet anëtare të BE-së nuk vendosën në veprim marrëveshjen e marrjes së refugjatëve në mënyrë vullnetare.
Nga 3 miliardë euro të premtuara, u dërguan vetëm 677 milionë -
Një tjetër çështje që BE-ja dha fjalën, por që nuk e realizoi është ajo e ndihmës ekonomike për refugjatët sirianë. Sipas marrëveshjes në vitin 2016-2017 BE-ja parashikonte ti jepte Turqisë rreth 3 miliardë euro, ndërsa në vitin 2018 3 miliardë shtesë.
Ndërkohë deri më 5 dhjetor thuhet se është dhënë vendim për dërgimin e 2.2 miliardë eurove, ndërsa në realitet janë transferuar drejt Turqisë vetëm 677 milionë euro.
Sipas një marrëveshjeje, Unioni Doganor duhet të rinegocionte dhe negociatat duhet të fillonin në fund të vitit 2016. Edhe pse ka pak ditë për të hyrë 2017-ta, bisedimet ende nuk kanë vazhduar. BE-ja ende nuk ka një datë të qartë se kur mund të nisin këto bisedime.
Liberalizimi i vizave
Sipas marrëveshjes në fund të qershorit duhej që regjimi i vizave të hiqej për qytetarët e Turqisë. Por në këtë pikë nuk është zhvilluar asnjë përparim. Sipas një raporti në lidhje me këtë çështje, Ankaraja nuk ka realizuar 7 nga 72 kriteret e kërkuara nga BE-ja. Një nga 7 kushtet e pa plotësuara sipas BE-së është edhe ligji për luftën antiterror. Megjithëse BE-ja kërkon nga Turqia plotësimin e kushtit për luftën antiterror, vetë ky union në vend që të ndihmojë Turqinë në luftën kundër terrorizmit kritikohet nga ana e Turqisë për shkak të pikëpamjeve të BE-së ndaj organizatave terroriste si PKK dhe FETÖ.